Publikohet ekstrakti i fundit i listave zgjedhore të 25 Prillit

TIRANË, 2 mars /ATSH/ Ministria e Brendshme publikoi sipas përcaktimeve ligjore, ekstraktin e gjashtë e të fundit, të listave zgjedhore për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, të datës 25 Prill 2021.

Lista përfundimtare zgjedhore do të publikohet në datë 15 mars.

Ekstrakti i parë i përbërësve zgjedhor u publikua në 5 Tetor 2020, ekstrakti i dytë në 2 Nëntor 2020, ekstrakti i tretë në 1 dhjetor 2020, ekstrakti i katërt në 4 Janar 2021, ekstrakti i pestë në 1 shkurt 2021.

Zyrat e Gjendjes Civile në bashki apo njësi administrative, kanë detyrimin ligjor të printojnë ekstraktin e fundit të përbërësve zgjedhore sipas vendbanimit dhe qendrave të votimit, nën juridiksionin e tyre territorial. Ky ekstrakt, si edhe pesë të parët, firmoset nga Kryetari i Bashkisë dhe publikohet në ambientet e bashkive/njësive administrative/në vende me hyrje të lirë të aksesueshme për publikun, ku çdokush mund të verifikojë emrin në listë. Nga data 4 mars 2021, DPGJC do të nisë verifikimet për publikimin e listës së pestë të zgjedhësve.

Çdo qytetar mundet të verifikojë edhe online emrin në listën zgjedhore, përmes portalit qeveritar e-Albania: https://e-albania.al/eAlbaniaServices/DPGJC/12416/DPGJC_12416_n3_s1_web.aspx?service_code=12416%20%20%20

Emrat e zgjedhësve që nuk kanë një dokument identiteti të vlefshëm edhe në këtë ekstrakt janë të shënjuar. MB fton çdo qytetar me kartë identiteti të skaduar të nxitojë të pajiset me dokumentin e ri, përmes të cilit përfiton shërbime, por edhe mundësinë të shprehë vullnetin në zgjedhjet e 25 prillit.

Për çdo paqartësi ose problem që lidhet me listën zgjedhore, ftohen qytetarët të kontaktojnë me Zyrat e Gjendjes Civile përkatëse, ose të drejtohen në adresën zyrtare të MB: [email protected]

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.