Pazari i Gjirokastrës/ Gjergji rikthehet pas disa viteve jashtë për të investuar në pronën që tashmë ka vlerë

TIRANË, 2 mars/ATSH/ Investimet e qeverisë në qytetet e vendit kanë bërë që shumë qytetarë të kthehen dhe të investojnë në pronat e tyre, vlera e të cilave njohu rritje falë këtyre investimeve.

I tillë ka rezultuar edhe investimi i qeverisë në Pazarin e Gjirokastrës.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi vuri në dukje se Pazari i Gjirokastrës i rrënuar dhe i lënë në harresë nga paaftësia e atyre që kërkojnë të vijnë sërish në pushtet, sot është një nga zonat më atraktive për vizitorët dhe për ata që duan të bëjnë biznes

“Kushdo e mban mend Pazarin e Gjirokastrës vite më parë. I rrënuar dhe i lënë në harresë nga paaftësia e atyre që kërkojnë të vijnë sërish në pushtet. Sot është një nga zonat më atraktive për vizitorët dhe për ata që duan të bëjnë biznes”, tha ministri.

Çuçi solli në vëmendje rastin e një të riu, i cili la karrierën e tij si futbollist në Greqi, për t’u rikthyer në Gjirokastër, ku ka transformuar pronën e tij duke e kthyer në një hapësirë fantastike në shërbim të qytetit dhe të turizmit.

“Gjergji Dhima është rasti klasik i një të riu që pas disa vitesh jashtë vendit kthehet në vendlindje për të investuar në pronën e tij duke e shndërruar atë në një hapësirë fantastike në shërbim të qytetit dhe të turizmit. Me siguri që ky investim nuk do të ishte bërë nëse ne do të kishim ende Pazarin që gjetëm vite më parë”, theksoi ministri.

Për këto dhe plot arsye të tjera, shton Çuçi, Shqipëria nuk duhet të kthehet prapa te rrënimi dhe rrëmuja PD-LSI. “Ne do të dalim faqebardhë nga këto zgjedhje, sepse s’kemi të krahasuar me ata që kemi përballë, jemi si dy botë të ndryshme. Shqiptarët do të vlerësojnë ata që punojnë”, theksoi ai.

Edhe vetë Gjergji thekson se ishte rikthyer së bashku me bashkëshorten e tij greke, pasi prona e tij mori vlerë pas restaurimit të Pazarit.

“Prej një viti e gjysmë jam kthyer këtu në Gjirokastër, në vendlindjen time. Kam qëndruar për 15 vite në Greqi, luaja futboll. Kur u riktheva kisha shumë shok e miq që më thonin: po ti Gjergj pse u riktheve, njerëzit duan të ikin? Por nuk jam penduar. U ktheva së bashku me bashkëshorten time, e cila është greke. Jemi integruar. Normalisht nuk ishte e lehtë në fillim. Unë kam patur edhe mundësi të tjera përveç futbollit, të qëndroja aty ku isha në Greqi, por vendosëm të ktheheshim të dy këtu. Për vite me radhë kjo pronë ka qenë e rrënuar dhe ne e kemi transformuar. Bashkë me restaurimin e zonës së Pazarit mori vlerë edhe lokali, edhe hoteli”, thotë ai.

Ai shprehet se Gjirokastra është një pol i rëndësihëm turistik në jug të vendit dhe nga viti në vit ka patur një rritje të numrit të turistëve. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.