Pandemia/ Vasili: Shifrat e vdekjeve shumë më të larta nga sa raporton qeveria

TIRANË, 3 mars /ATSH – I. Vata/ Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili deklaroi sot se muaji shkurt ka pasur thuajse me një dyfishim të vdekjeve në raport me mesataren e të gjitha viteve.

Në një deklaratë për mediet, Vasili tha se sërish shifrat e vdekjeve, humbjes së jetës së shqiptarëve në raport me ato të raportuara nga qeveria janë shumë më të larta.

“Vetëm muaji shkurt ka pasur thuajse një dyfishim të vdekjeve, në raport me mesataren e të gjitha viteve. Dhe mesatarja vjetore nga shkurti në shkurt për 12 muaj, është rreth 8 mijë vdekje më shumë, të ndodhura në raport me mesataren vjetore, e ku numri i vdekjeve të raportuara zyrtare për kovid është 6-7 herë më e pakët. Kjo është një përgjegjësi shumë e rëndë që bie mbi qeverinë, e cila fsheh vdekjet, nuk bën analizën e tyre, nuk nxjerr përfundimet, nuk orienton masat në këtë drejtim”, tha Vasili.

Vasili shton se shqiptarët po vuajnë një mungesë absolute nga shteti.

“Nuk ekziston rimbursimi i barnave dhe mijëra shqiptarë ndërkohë që janë në momente tragjike, detyrohen të qajnë të dashurit e tyre që humbin jetën, të nesërmen e kësaj tragjedie janë të detyruar për të qarë pamundësinë absolute për të larë borxhet shumë të mëdha ku kanë hyrë, për të trajtuar të dashurit e tyre, të cilët nuk kanë pasur as ndihmën më të vogël nga qeveria e këtij vendi. Ndërkohë që vazhdon parada e mashtrimeve dhe e gënjeshtrave, propaganda që fillon nga qeveria dhe Bashkia e Tiranës, ku mijëra shqiptarë dergjen dhe nuk kanë asnjë lek të vetëm mbështetje nga qeveria”, shprehet Vasili.

Vasili thekson se ky është një faj kriminal i cili po konsumohet në sytë e të gjithë shqiptarëve, që nga fshehja e infektimeve apo e vdekjeve.

“SPAK më së fundmi le të hapë njëherë sytë e të bëjë detyrën e tij. Bëhet fjalë për mijëra vdekje. Çfarë të presim më, kë do hetojmë? Boll i hetuan 50 e 10 mijë lekshat e gjobave të Policisë. Le të merren me mijëra shqiptarë që kanë humbur jetën e nuk dihet njeri, e kurrkush nuk është interesuar se pse kjo ndodhi dhe në cilat përfundime duhet të dalin. Sigurisht ky faj do të shpaguhet, por sa më parë aq më mirë do të ishte për shqiptarët, e aq më nder do t’i bënte SPAK-ut që të respektonte një herë të vetme ligjin”, tha ai. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.