Nis ndërtimi i urës së re të Tapizës/ Balluku: Do të përfundojë për 10 muaj

TIRANË, 2 mars /ATSH/ Vijon puna për ndërtimin e urës së re të Tapizës. Sot është bërë devijimi i qarkullimit të automjeteve dhe ka nisur puna për shembjen e urës së vjetër, e cila ishte amortizuar ndjeshëm.

Ura e re që do të ndërtohet, do të përmbushë të gjitha kushtet e sigurisë rrugore.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku dhe drejtori i ARRSH, Ergys Verdho, inspektuan sot punimet që po bëhen në këtë vepër të rëndësishme infrastrukturore.

Ministrja Balluku tha se, “në 11 shkurt kemi qenë së bashku këtu për të treguar se si kishte përfunduar krijimi i bypass-it, për të na hapur rrugë, për fillimin e punimeve të ndërtimit të urës së Tapizës, e cila është përfshirë në programin e Rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, pas dëmtimeve që pësoj nga kjo fatkeqësi natyrore”.

“Përpara këtij tërmeti MIE ka nisur skanimin e të gjitha urave të territorin e Shqipërisë pasi janë ura janë të ndërtuara rreth viteve ’70, çka do të thotë se kanë një kohë përdorimi 50- vjeçare dhe pavarësisht disa rehabilitimeve kanë nevojë për rikuperime të mëtejshme. Nga skanimi kemi nxjerrë pasaportë për çdo urë me të dhënat përkatëse që na shërbejnë për ndërhyrjet përkatëse”, – tha Balluku.

Ministrja shpjegoi se, “sot kemi nisur orientimin e trafikut duke garantuar siguri rrugore, dhe sot nis prishja e urës së vjetër 50-vjeçare, që u dëmtua edhe nga tërmeti, për të ndërtuar një urë të re”.

Drejtori i ARRSH-së u shpreh se, “ura e re do të ketë 3 korsi 40 metra, 13.2 gjerësi, 7.5 karrexhatë dhe në të dy anët e urës do të ketë trotuare”.

“Bypass-i krijon mundësi që të mos kemi bllokime të trafikut”, – tha ai.

Ministrja vuri në dukje se për ndërtimin e urës së Tapizës janë adresuar 1.5 milionë USD nga fondi i Rindërtimit dhe ura e re do të ndërtohet për 10 muaj. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.