Nga certifikatat e dëftesat dixhitale, te fiskalizimi/ Revolucioni dixhital që po transformon shërbimet për qytetarët

TIRANË, 2 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, “revolucioni dixhital nuk është një fakt për të cilin flas unë, por është një fakt për të cilin Shqipëria është vlerësuar shumë lartë nga raportet e organizatave më prestigjioze ndërkombëtare”.

“Duke filluar nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik që e quan Shqipërinë të vetmin vend në rajon që plotëson standardet në këtë drejtim, te DASH dhe KE që vlerësojnë progresin e Shqipërisë në axhendën e revolucionit dixhital, duke theksuar se kjo ndikon në forcimin e luftës kundër korrupsionit; Kombet e Bashkuara që renditën Shqipërinë nga vendi i 92-të në vitin 2012, në vendin e 31-të duke e vlerësuar në mesataren e vendeve me të ardhura më të larta, madje Shqipëria është vlerësuar me çmim për qeverisjen dixhitale”, tha Rama.

Kryeministri tha se ky është një fakt botërisht i mirënjohur dhe përmes transformimit të shërbimeve dixhitale platforma e-Albania është kthyer në një histori suksesi dhe nuk diskutohet që është sot një instrument shumë efikas në duart e të gjithë atyre qytetarëve që e përdorin.

Kryeministri theksoi se, “nga 1 janari i këtij viti ne kemi nisur edhe zbatimin e ligjit të fiskalizimit, proces që do të ndihmojë në reduktimin e ekonomisë informale, rritjen e të ardhurave, uljen e evazionit fiskal, barazinë e subjekteve para ligjit, si dhe në raport me konkurrencën”.

“Do të kemi një sistem që praktikisht do të mundësojë leximin në kohë reale nga një tru elektronik i të gjitha transaksioneve që zhvillohen në të njëjtën sekondë në 28 mijë kilometra të Republikës së Shqipërisë nga një biznes te një biznes, nga një biznes te një konsumator dhe nga një biznes te shteti. Kështu do të eleminohen përfundimisht dhe do të zhduken nga faqja e dheut praktikat e tmerrshme të inspektimeve fizike lart e poshtë dhe inspektimet do të jenë të bazuara në inteligjencën kompjuterike, jo në vullnetin arbitrar të një grupi tatimorësh, inspektorësh e hetuesish tatimorë”, tha Rama.

Nga ana tjetër, Kryeministri theksoi se beteja për kuponin ka qenë një betejë jashtëzakonisht e pamundur për një mijë e një arsye, ndërkohë që kalimi me këtë sistem do ta lehtësojë maksimalisht dhe absolutisht dokumentarizimin e gjithë transaksioneve në gjithë zinxhirin tregtar”.

“Ju e mbani mend tmerrin e certifikatave të gjendjes civile. Sot ne kemi certifikatën në çdo moment që e duam me vulë elektronike në kohë reale nga kompjuteri. Nuk ka nevojë të shkojmë në radhë për të marrë certifikata sot. Dëftesat e nxënësve do të ofrohen online me vulë elektronike. Sot edhe pse ka shumë akoma për të bërë në shërbimet shtetërore për ata që janë jashtë, mundësojmë që 38 shërbime për të cilat deri dje kërkohej prania fizike në një konsullatë duke imponuar humbej kohe, harxhim e stres janë online sot. Shtetasit e huaj që duan të punësohen në Shqipëria kanë vizë online dhe i gjithë procesi bëhet online pa folur këtu për shumë e shumë procese të tjera”, tha Rama.

Por Kryeministri theksoi se, “edhe në proceset e revolucionit dixhital dhe krijimin e një shteti dixhital në të gjitha shërbimet duhet ende kohë. Jemi ende me një punë që duhet të vazhdojë. Faktikisht duhen edhe disa vite, brenda mandatit të tretë që ne të kryejmë të gjithë ciklin dhe ta kalojmë në një nivel komplet tjetër Shqipërinë në këto marrëdhënie kaq jetike duke asgjësuar korrupsionin që ka të bëjë me këto marrëdhënie dhe duke zgjidhur tmerrin në psikologjinë e qytetarëve shqiptarë që lidhet me administratën dhe duke e kthyer gjithë administratën që është e përfshirë në shërbime publike thjesht në një makineri mbrapa ekranit që  do të mundësojë që marrëdhënia e qytetarit me shtetin për të gjitha ato që qytetari ka nevojë dhe shteti ka detyrë, t’ia garantojë. Ky është realiteti konkret i disa vendeve sot dhe do të jetë realiteti konkret i Shqipërisë nesër, brenda 4 viteve të ardhshme”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.