Ndryshimet në ligjin për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit/ Vjero: Synon mbrojtjen e konsumatorit

TIRANË, 2 mars/ATSH/ Komisioni për Integrimin Europian miratoi ndryshimet në ligjin për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit.

Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Vasilika Vjero tha se projektligji synon përmirësimin e mëtejshëm të bazës ligjore në tregun e sigurimeve të detyrueshme, duke patur në vëmendje mbrojtjen e konsumatorit dhe përafrimin me standardet ndërkombëtare.

Zv.ministrja sqaroi se ligji ekzistues datonte prej vitit 2011, e pas një faze të gjatë konsultimesh me grupet e interesit, duke u mbështetur në praktikat e vendeve fqinje si Kosova, apo edhe në vende si Kroacia dhe Italia, u vendos që të ishte koha e posaçme për të ndërmarrë përmirësimet në legjislacion duke sjellë një ligj të ri, sa si nevojë e zhvillimit të tregut, aq edhe në përputhje me angazhimet e AMF-së në drejtim të përmbushjes së rekomandimeve të Komisionit Europian.

Sipas Vjeros, pr/ligji synon të rregullojë mungesën e një platforme për zhvillimin afatgjatë të tregut, mungesën e iniciativës për transferim rreziku dhe mbrojtje konsumatorësh, numrin e ulët të sigurimeve të detyrueshme si edhe respekton marrëveshjet ndërkombëtare që Shqipëria ka ratifikuar.

Vjero u shpreh se projektligji rrit të gjithë efikasitetin e marrëdhënies të aktorëve në tregun e sigurimeve të detyrueshme, ul numrin e drejtuesve të mjeteve të transportit pa kontratat e sigurimit të detyurueshëm përmes masave administrative, zgjidh problemin e Byrosë dhe organizimit tërësor të saj, ul shpenzimet e marrjes së sigurimit për konsumatorët, rrit masën e dëmshpërblimit duke përbërë risi në këtë drejtim, përmirëson procedurat dhe afatet për dëmshpërblim nga ana e të gjithë kompanive dhe shkurton afate dhe ul shpenzimet për kërkesat për dëmshpërblim me anë të nënshkrimit të raportit europian të aksidenteve. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.