Ndahet nga jeta kompozitori i njohur Agim Krajka/ Mesazhe ngushëllimi

TIRANË, 2 mars/ATSH/ Kompozitori i njohur Agim Krajka u nda nga jeta mbrëmjen e djeshme në moshën 83-vjeçare.

Gjatë karrierës së tij të gjatë, Agim Krajka ka krijuar dhe përpunuar muzikën e lehtë, muzikën popullore, klasike dhe kolonat zanore të shumë filmave shqiptarë.

Lajmi u bë i ditur nga djali i tij Ulis Krajka, i cili u shpreh “uroj që shpirti yt të pushojë në qiell babai ynë i dashur”.

Krijimtaria e Krajkës është voluminoze. Mjeshtri ka kompozuar qindra këngë, valle popullore dhe shumë pjesë për orkestër simfonike si: “Suitë me valle popullore” për orkestër simfonike, “Uverturë rinore” për orkestër simfonike, “Romancë” për violinë e orkestër simfonike, “Fantazi” për fizarmonikë e orkestër simfonike.

Krijimtaria e tij mori vlera të tjera me muzikën e shumë filmave, të cilat i kompozoi gjatë viteve ’70-80. Kryeveprat e kinematografisë si “Çifti i lumtur”, “Zonja nga qyteti”, “Një shoqe nga fshati” etj., nuk do kishin vend të veçantë në historinë e kinematografisë tonë, pa kolonat zanore që shkroi për to “Mjeshtri i Madh” Agim Krajka.

Agim Krajka u lind në Kavajë, më 3 maj 1937, në një familje me origjinë dibrane. Babai i tij luante në disa instrumente muzikore, si violinë, mandolinë, fizarmonikë. Dashuria dhe pasioni për muzikën tek Agimi lindën që në fëmijëri, të cilën ia ushqeu edhe vetë i ati.

Në vitin 1963 Krajka fillon studimet për teori e kompozicion dhe i përfundon ato në vitin 1968. Degën e Kompozicionit e ka kryer nën drejtimin e të madhit Çesk Zadeja. Në vitin 1960 filloi punë në Ansamblin e Ushtrisë ku punoi 2 vjet. Në vitet 1962-1964 kalon në Radio Tirana si fizarmonicist dhe drejtues i kompleksit të vogël instrumental.

Viti 1964 e gjen pranë Ansamblit të Këngëve dhe Valleve popullore; në fillim si instrumentist, e më pas si kompozitor dhe drejtues orkestre. Veprimtaria e tij muzikore është shumë e gjerë. Ka shkruar muzikë në shumë lloje dhe është bërë i famshëm si me muzikën e lehtë, ashtu edhe më atë popullore, të përpunuar e orkestrale. Ka kompozuar mjaft pjesë orkestrale për fizarmonikë dhe me qindra këngë të muzikës së lehtë. Ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës deri në festivalet e fundit të pas viteve ‘90, duke filluar me këngën e famshme “Lemza”, kënduar nga Vaçe Zela në Festivalin e Parë të Këngës në Radio më 1961. Ai është nderuar me mbi 15 çmime.

Meta: Personalitet i jashtëzakonshëm i muzikës shqiptare, me një kontribut të vyer për dekada

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të kompozitorit Agim Krajka, ku e cilëson një personalitet të jashtëzakonshëm në transmetimin e vlerave shpirtërore të kulturës sonë te brezat e rinj.

“Me hidhërim të thellë mora lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të kompozitorit tonë të shquar, Nderit të Kombit, Agim Krajka. Personalitet i jashtëzakonshëm i muzikës shqiptare, me një kontribut të vyer për dekada në transmetimin e vlerave më të spikatura shpirtërore të kulturës sonë te brezat e rinj, trashëgimia e Tij e pasur artistike do të nderohet dhe do jetojë përjetë”, tha Meta.

“Duke u përulur me nderim e mirënjohje të thellë para veprës së Tij, u shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së dashur Krajka, kolegëve dhe të gjithë artdashësve shqiptare për këtë humbje të pazëvendësueshme, që na ka lënduar të gjithëve. Lutemi, që shpirti i Tij të gjejë paqen e merituar!”, shprehet Meta.

Presidenti Meta bëri sot homazhe për ndarjen nga jeta të kompozitorit të shquar shqiptar, Agim Krajka.

Ruçi: Kompozitori i të gjithë brezave, krijuesi i muzikës e këngëve të rinisë dhe dashurisë

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi në mesazhin e tij të ngushëllimit e cilëson Krajkën, një ndër pionierët e muzikës shqiptare.

“Agim Krajka është një ndër pionierët e muzikës shqiptare. Me krijimtarinë e vet artistike, Krajka krijoi shkollën e vet origjinale muzikore, si një harmonizim i muzikës së lehtë dhe muzikës popullore. Krajka ka shkruar me mjeshtëri e finesë të lartë muzikën e valleve popullore nga të gjitha viset shqiptare: jugu e veriu, ka shkruar valle tropojane, dropullite e çame”, tha Ruçi.

“Agim Krajka ishte dhe do të mbetet kompozitori i të gjithë brezave, por mbi të gjitha krijuesi i muzikës e këngëve të rinisë dhe dashurisë. Fitues i rreth 20 çmimeve artistike, Artist i Merituar dhe Nderi i Kombit, janë njohja prej kulturës dhe kombit shqiptar i veprës unike dhe universale të kompozitorit të talentuar e virtuoz Agim Krajka”, shprehet Ruçi.

Basha: Vepra e maestro Krajkës qëndron si një testament për fuqinë e artit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi homazhe pranë trupit të kompozitorit Agim Krajka i cili u nda sot nga jeta.
“Shqipëria është sot në dhimbje dhe kujton me nderim dhe respekt të veçantë jetën e jashtëzakonshme të këtij burri të shquar, i cili ia kushtoi jetën ushqimit të shpirtrave të shqiptarëve në ditët e thatësirës më të madhe kulturore e shpirtërore të kombit”, u shpreh Basha.
“Vepra e maestro Krajkës qëndron si një testament për fuqinë e artit, provë se një vepër e vetme mund të bëjë dallimin, në çdo shpirt, në çdo shtëpi, në të gjithë vendin. Përpjekjet e palodhura të Agim Krajkës i dhanë atij jo vetëm titullin Artist i Merituar dhe Nderi i Kombit, por edhe respektin e mijëra shqiptarëve të frymëzuar nga arti i tij, si akt sublim lirie.Trashëgimia e tij do të qëndrojë mes nesh si një shembull për të gjithë ne që të ngulmojmë në përpjekjen drejt të hijshmes dhe përsosjes, përfundoi Basha.

Margariti: Shqiptarët të kanë dashur dhe do të të duan përtej çdo kufiri moshor, sepse krijimtaria jote është e pakohë

Gjithashtu ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka shprehur përmes një mesazhi ngushëllimet për kompozitorin Agim Krajka, ku thekson se mungesa e tij do ndjehet për shkak të energjisë e rinisë të jashtëzakonshme që ai kishte.

“I dashur profesor, më duket si dje kur së bashku “thyem” karantinën në sheshin “Skënderbej”, në Ditën e Muzikës, me koncertin aq të suksesshëm “Të gjithë e duan Agim Krajkën”. Ne nuk gjenim dot simbolikë më të bukur se kaq. Sepse shqiptarët të kanë dashur dhe do të të duan përtej çdo kufiri moshor, sepse krijimtaria jote është e pakohë, që nga këngët “hit”, tek orkestrimi i gurrës popullore”, shprehet Margariti.

“Do të ishte e zbrazët të thosha se sa shumë do të na mungosh me atë energji e rini të jashtëzakonshme, por me gjasë, tani je duke kompozuar një tjetër muzikë në amshim.

Do të jesh gjithnjë me ne mjeshtër dhe duartrokitjet janë për ty edhe në këtë ditë, kur fizikisht duhet të të themi lamtumirë”, tha ajo.

Veliaj: Kompozitori brilant që la pas një thesar për artin shqiptar

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në mesazhin e tij të ngushëllimit e ka cilësuar Agim Krajkën, kompozitorin brilant që la pas një thesar për artin shqiptar.

“Mëngjes i trishtë pas ndarjes nga jeta të Agim Krajkës-kompozitorit brilant, që ka lënë pas një thesar të tërë muzikor për artin shqiptar. Ngushëllime familjes! Prehu në paqe mjeshtër”, shprehet Veliaj.

/k.s//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.