Nafta falas për bujqësinë/ Paralelisht shpërndarjes së kartave vijojnë aplikimet deri më 30 mars

TIRANË, 2 mars /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi bën të ditur se në Lushnjë procesi i shpërndarjes së kartave të naftës falas për fermerët po vijon paralelisht edhe me aplikimet, proces i cili u shty deri më 30 mars.

“Çdo zyrë AREB dhe Agropika janë të hapura për të asistuar këdo që ka akoma nevojë për plotësimin e dokumentacionit dhe aplikimit në e-Albania”, tha Ekonomi.

Fermerët vijojnë aplikimin deri më 30 mars 2021, në portalin e-Albania për të përfituar naftë falas për bujqësinë. Ky është një proces i cili synon të ndihmojë fermerin deri 10 ha por padyshim që përfitojnë edhe ata me sipërfaqe mbi 10 ha. Por qëllimi është mbështetja e fermerëve të vegjël.

Për vitin 2021, buxheti i shtetit ka shtuar një fond prej 1 miliard lekë në ndihmë të fermerëve për heqjen e taksave të naftës për bujqësinë.

Nafta për fermerët nuk do të ketë më taksën e akcizës (37 lekë), taksën e qarkullimit (27 lekë) dhe as taksën e ndikimit në mjedis (3 lekë).

Fermerët me NIPT marrin 1 litër naftë 54 % më lirë nga sa e merrnin më parë. Në total, për një litër naftë të përdorur për punime bujqësore, zbriten 67 lekë.

Lehtësimi nga barra fiskale i naftës që përdoret për bujqësinë është një lajm i mirë për mbi 70 mijë fermerë në të gjithë vendin, nga të cilët 47 600 që kanë aktualisht NIPT-in e fermerit, janë automatikisht përfitues potencialë të skemës, ndërsa pjesa tjetër pritet të formalizohet brenda këtij viti.

Kjo politikë e re dëshmon edhe një herë vëmendjen e qeverisë për sektorin e bujqësisë, i cili ka një peshë të rëndësishme në ekonominë e vendit dhe është rritur vit pas viti falë lehtësive fiskale, mbështetjes financiare dhe politikave mbështetëse. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.