Monitorimi i transaksioneve në sektorin e hidrokarbureve/ Nuk është koncesion, proces licensimi në vazhdim të revolucionit dixhital

TIRANË, 3 mars /ATSH – I. Vata/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nuk bëhet fjalë për koncesion në lidhje me monitorimin e transaksioneve në sektorin e hidrokarbureve, por me licencim.

Në lidhje me pyetjen se dy muaj nga data e zgjedhjeve më 19 shkurt të këtij viti qeveria ka publikuar një vendim ku përcaktohet dhënia me koncesion e monitorimit të transaksioneve në sektorin e hidrokarbureve, ku do zgjidhen tri kompani për këtë koncesion, Rama tha se jo çdo gjë që ndodh quhet koncesion.

“Ky nuk është koncesion. Ky është një proces licencimi në vazhdim të revolucionit digjital. Dhe është një proces i nisur. Në bazë të ligjit, nuk mund të nisen procese të reja në këtë periudhë katërmujore. Ky është i nisur prej shumë kohësh dhe bëhet fjalë për licensim të tre kompanive dhe jo për koncension”, tha ai.

Nga ana e saj, drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj tha se, bëhej fjalë për një proces të parregulluar, sepse aktualisht kemi sistemin e fiskalizimit, që siç e dimë do mundësojë raportimin në kohë reale për gjithë faturimin

“Kemi një kontratë koncesionare për kolaudimin e pompave dhe mbeti pa mbuluar kontrolli i depozitave, pra në fakt janë tre sisteme komplementare me njëri-tjetrin të cilat kontrollojnë dhe njëri tjetrin, që do të thonë nëse nuk ka një të dhënë në një sistem diçka nuk shkon. Ne mund të dimë tashmë sa litra ka depozita, sa dalin nga pompa po dhe sa litra faturohen. Nuk është koncension, por licensohen tre kompani të ndryshme, siç ka qenë deri tani për kasat fiskale katër kompani, që nuk besoj që janë koncesione. Ky proces ka qenë i mbështetur për kompanitë e hidrokarbureve, sepse edhe atyre do u shërbejë për kontrollin dhe shkëmbimin e brendshëm të likuideve të hidrokarbureve”, sqaroi ajo.

Përfaqësuesit e PD, Agron Shehaj dhe sekretari për Çështjet Ligjore, Çlirim Gjata dorëzuan në SPAK padinë për koncesionin e ri të qeverisë Rama në fushën e hidrokarbureve, duke kryer të paktën 3 vepra penale.

Në deklaratën për mediat, ata theksuan se, “Rama ka vendosur të japë një koncesion të fshehtë, në fushën e karburanteve, i cili do t’u kushtojë shqiptarëve 100 milionë euro”.
“Pa asnjë studim, pa transparencë, gjithçka në errësirë dhe me nxitim, qeveria ka paracaktuar që tre klientë të saj të gjurmojnë transaksionet financiare në fushën e hidrokarbureve. Ky vendim, në fushatë zgjedhore shkel rregullat e zgjedhjeve, mbyll tregun në tre duar dhe, mbi të gjitha, fut duart në xhepat e qytetarëve, duke e bërë karburantin akoma më të shtrenjtë”, theksuan përfaqësuesit e PD-së.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.