Marrëveshja paraelektorale PD-LSI/ Pjesë e planit për të lidhur Lulin me zinxhirin e Monikës, për llogari të Ilirit dhe Saliut

TIRANË, 2 mars /ATSH/ “Firmosja e marrëveshjes paraelektorale PD-LSI, është pjesë e planit për të lidhur Lulin me zinxhirin e Monikës, për llogari të Ilirit dhe Saliut dhe pastaj ose për të marrë pushtetin dhe për të shpërbërë reformën në drejtësi ose kokën e Lulit”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama gjatë një konference për shtyp me gazetarët.

I pyetur lidhur me deklaratën e Metës se do marrë drejtimin e opozitës nëse Kryeministri Rama fiton më 25 prill, Kreu i Ekzekutivit theksoi se, “në njëfarë mënyre Meta duhet falenderuar, sepse ka sqaruar plotësisht ekuacionin e referendumit, i cili ishte një ekuacion i paplotë me vetëm njërën anë që në 25 prill referendumi popullor do të shpërbëjë Reformën në Drejtësi”.

“Tani Ilir Meta i fton shqiptarët në një referendum, duhet të zgjedhin: me drejtësinë apo me Ilir Metën. Shumë e thjeshtë, me Reformën në Drejtësi deri në fund, apo me Ilir Metën. Zgjedhje më të qartë dhe më të drejtpërdrejtë shqiptarët nuk mund të kenë në 25 prill, dhe për këtë Meta duhet falenderuar”, u shpreh Rama.

Për sa i përket marrjes së drejtimit të opozitës, tha ai, kjo besoj është shumë e qartë, për ata që shikojnë përtej asaj që duket, mjafton të shikojnë firmosjen e marrëveshjes së djeshme për të kuptuar planin.

“Plani është shumë i qartë: pse u firmos marrëveshja, për çfarë? Si mund të firmoset një marrëveshje paraelektorale nga dy parti që garojnë veç e veç. Keni parë në ndonjë vend të botës ku ka parti që garojnë veç e veç dhe mund ta lënë këtë si opsion, por të firmosin marrëveshje noteriale. Pse, për çfarë? Është pjesë e planit për të lidhur Lulin me zinxhirin e Monikës, për llogari të Saliut dhe Ilirit dhe pastaj ose për të marrë pushtetin dhe për të shpërbërë Reformën në Drejtësi, ose për të marrë kokën e Lulit. A ka më thjeshtë se kaq? Dhe është shumë e qartë pse e duan Lulin të lidhur para zgjedhjeve”, theksoi Kryeministri.

Ai theksoi se, “këtu problemi nuk është Meta, në fakt në këtë pjesën e dytë, por problem është Lulzim Basha që nuk ka këllqe, që nuk ka karakterin e një lideri që të mos fshihet as kur i tregojnë se çfarë do t’i bëjnë të nesërmen, dhe as kur aleati i tij i madh thotë “unë amerikanët i kap për veshësh”, por nuk mund t’ia kërkojmë se nuk është lider, por është menaxheri i një shoqërie aksionere me 2 ortakë, Ilir Metën dhe Sali Berishën dhe me një notere dhe përmbaruese, Monikën”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.