“Kush prek votën i pritet dora”/ Zv. ministri Hodaj: Nuk ka nevojë për kërcënime, aktiviteti i policisë i vlerësuar në zgjedhje si i paanshëm dhe profesional

TIRANË, 2 mars /ATSH/ Zv.ministri i Brendshëm, Julian Hodaj u shpreh sot në një intervistë televizive se “nuk ka nevojë për kërcënime pasi tashmë vit pas viti ka një traditë të konsoliduar për mirë në zhvillimin e zgjedhjeve”, duke iu përgjigjur deklaratës së presidentit Meta sipas të cilit “‘kush prek votën do t’i pritet dora”.

Sipas Hodajt, në bazë edhe të raporteve të mëparshme është vlerësuar roli i policisë së shtetit si i paanshëm dhe me profesionalitet.

“Ministria e Brendshme rolin në zgjedhje e ka relativ, detyra e Ministrisë së Brendshme është se nga një anë të sigurojë listat që bëhen më së miri dhe deri tani më rezulton që të mos ketë pasur kontestime dhe nga ana tjetër është aktiviteti i Policisë së Shtetit, që përsëri është goxha i vlerësuar. Po të shihni raportet e ODIHR do të shihni se ka një përmirësim domethënëse të rolit të policisë në zgjedhje vit pas viti. Është interesante sesi vlerësohet policia në zgjedhje për paanshmëri dhe profesionalitet.  Dhe besoje se kjo do të jetë edhe e këtij viti nuk ka nevojë as për kërcënime dhe as për prerje duarsh”, u shpreh ai.

Hodaj tha më tej se Partia Socialiste synon fitimin e mandatit të tretë për të përfunduar punët të cilat qeveria nisur. Sa i takon koalicionit pasgjedhor të Partisë Demokratike me LSI-në, Hodaj tha se në koalicionin e tyre ka një paradoks, pasi nga të bashkuar u ndanë dhe sërish kërkojnë që të bashkohen.

“Problemi kryesor i opozitës është se ka një mosdakordësi totale ndërmjet lidershipit. Nuk besoj se dy forcat kryesore të opozitës si besojnë njëra-tjetrës. Ka edhe një problem në atë që mund të konsiderohet lideri i opozitës.  Basha nuk është rishtar as në politikë as në qeverisje, e ka filluar në 2005, ka qenë tre herë ministër në dijeninë time. Për çfarë do ta mbajë mend elektorati shqiptar? Do të mbahej mend si ministër i Transporteve për rrugën Durrës-Kukës, ku KLSH thotë se kishte 300 e kusur euro dëme dhe që mbylli ndjekjen penale me një vendim gjykate të lartë mbi baza procedurale. A do ta mbani mend për ministër të Jashtëm për marrëveshjen e detit me Greqinë që Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi! A do ta mbajnë mend si ministër i Brendshëm për ata katër të vdekur në Bulevard. Në këtë pikë jo vetëm lidershipi, por edhe ato që i pasojnë janë po të njëjtat figura që janë provuar në qeverisje dhe që publiku i ka ndëshkuar rëndë”, tha Hodaj.

Zv.ministri i Brendshëm, Julian Hodaj u ndal edhe te integrimi ku deklaroi se, për të tretin vit radhazi organet e BE-së konfirmojnë që Shqipëria ka përmbushur çdo kusht për të filluar të diskutojë realisht për anëtarësimin.

“Nëse shohim mbrapsht në 2013 do të shohim që sot në 2021 jemi ku e ku, mos themi vite drite larg. Kishim një nga ushtrimet e para, që ishte ndërtimi i institucioneve, apo rindërtimi i institucioneve, që për fat të keq ishin në atë gjendje që ishin dhe po ta shihni gjatë kësaj periudhe ka një mori ligjesh të reja për organizimin dhe funksionimin e institucioneve të veçanta”, u shpreh Hodaj.

“Kishim një gjendje ekonomike në 2013-ën ku një pjesë e mirë të mandatit të parë u harxhua për të mbushur ato gropa që la keqqeverisja e 8 viteve të mëparshme”, tha Hodaj.

“Dhe kemi sot për të tretin vit radhazi që organet e BE-së, konfirmojnë që Shqipëria ka mbushur çdo kusht për të filluar të diskutojë realisht për anëtarësimin”, theksoi Hodaj.

“Është i treti vit rresht, që Komisioni që është organi tutor i asaj që ndodh në Shqipëri, rekomandon pozitivisht, por për shkak të dinamikave të vendeve të ndryshme anëtare, ky proces vazhdon dhe mbahet pezull”, u shpreh Hodaj.

“Ne kemi bërë çdo gjë të mundshme nga ana jonë”, tha Hodaj, duke u shprehur se janë kryer disa reforma.

“E para, një reformë territoriale mjaft e rëndësishme, që e çoi Shqipërinë në një ndarje të re territoriale. E dyta, një reformë e pushtetit vendor. Sot kemi pushtet vendor autonom. E treta, dhe më e rëndësishmja do të thoja që është Reforma në Drejtësi. Reformë epokale që nuk besoj që ka ndonjë vend tjetër që mund të mburret me këto lloj arritjesh”, tha Hodaj.

Ai shtoi se, “kemi sot në proces rindërtimin e institucioneve të reja të drejtësisë. Kemi marrë shumë vlerësime për këtë. Ka qenë një ushtrim shumë i vështirë, që ka hasur shumë rezistenca. Nuk ka nevojë as t’ia kujtoj publikut, cila ishte dinamika e votimit të Reformës në Drejtësi, në 2016-ën dhe sa vështirësi u desh, dhe sa punë u desh që këto institucione të fillonin të ngriheshin”.

“Sot jemi në rrugën e mbarë që kjo mund të finalizohet me shumë sukses gjatë mandatit të tretë”, theksoi Hodaj.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.