Grumbullimi i Kombëtares U-15, flet trajneri Dama: Ka elementë shumë cilësorë

TIRANË, 2 mars /ATSH/ Shqipëria e 15-vjeҫarëve, nën drejtimin e trajnerit Armand Dama, është duke zhvilluar një grumbullim 3-ditor në kompleksin Tropikal, për të parë nga afër elementët e datëlindjes 2007 që janë riseleksionuar nga ekipet përfaqësuese rajonale që janë organizuar në 8 zyrat rajonale të Federatës së Futbollit.

Për të folur mbi përgatitjet dhe grupin e lojtarëve në dispozicion, trajneri Dama ka dhënë një prononcim për fshf.org, ku nuk ka hezituar të bëj një falenderim për besimin që treguan ndaj tij duke e rikonfirmuar në drejtimin e U-15.

“Duhet të falenderoj presidentin e Federatës, Armand Duka, dhe stafin e ekipeve kombëtare, për besimin që tregoi ndaj meje duke më besuar përsëri drejtimin e Kombëtares U-15. Mendoj se kemi punuar mirë dy vitet e para me këtë skuadër dhe premtoj se do të vazhdoj në të njëjtën rrugë. Ne kemi përzgjedhur element nga e gjithë Shqipëria, duke bërë një riseleksionim, sepse së pari, janë seleksionuar nga stafet e ekipeve përfaqësuese rajonale, duke ditur që kemi 8 zyra rajonale të cilët kanë përzgjedhur lojtarët më të mirë në zonat e tyre. Ne më pas kemi përzgjedhur lojtarët më cilësorë të datëlindjes 2007, që këtë vit do të jenë pjesë e skuadrës U-15. Ka lojtarë cilësor, shpresoj të punojmë mirë dhe t’i përgatisim mirë lojtarët për t’i ҫuar më pas te U-17 dhe më lart. Ka element shumë cilësorë, gjithmonë në ҫdo brez kemi pasur individë cilësorë, të cilët më punë të mirë do të ecin për të qenë pjesë e ekipit përfaqësues në të ardhmen”, ka përfunduar fjalën e tij trajneri Dama.

Ditën e fundit të grumbullimit, skuadra kombëtare e 15-vjeҫarëve do të zhvillojë një ndeshje miqësore me bashkëmoshatarët e “Teutës” së Durrësit. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.