COVID-19 – OBSH: Hidroksiklorokina nuk duhet të përdoret për parandalim

ROMË, 2 mars /ATSH-ANSA/ – OBSH lëshoi sot një rekomandim të fortë kundër përdorimit parandalues ​​të hidroksiklorokinës për individët që nuk kanë COVID-19, sipas udhëzimeve të përditësuar të organizatës së Kombeve të Bashkuara, të botuara në revistën mjekësore britanike BMJ.

“Ekziston një interes i përhapur në faktin se ndërhyrjet farmakologjike mund të përdoren për parandalimin e COVID-19, por ekziston edhe pasiguria se cilat ilaçe, nëse ka, janë efikase”, shkruajnë ekspertët.

“Prej këtej nevoja për të hetuar, në mënyrë që të sigurohen mjekët dhe administratorët me mendime të përditësuara të bazuara në prova shkencore”, shtojnë ata.

Rekomandimi i fortë kundër përdorimit parandalues ​​të hidroksiklorokinës vjen nga një rishikim sistematik i bazuar në gjashtë studime, në 6 059 vullnetarë, që zbuluan se ky ilaç antimalarik, gjithashtu i këshilluar për pacientët me artrit reumatoid, kishte pak ose aspak efekt mbi vdekshmërinë dhe shtrimin në spital nga COVID-19.

Ai, gjithashtu, rezultoi në një rritje të efekteve të padëshiruara në disa raste, që çuan në ndërprerjen e përdorimit në disa pacientë.

Prandaj, paneli i ekspertëve beson se “ky ilaç nuk është më një përparësi kërkimore dhe se burimet duhet të drejtohen drejt vlerësimit të barnave të tjera më premtuese për të parandaluar COVID-19”./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.