Bardhi me banorë të fshatrave të Elbasanit: Reforma administrative do të rishikohet

TIRANË, 2 mars /ATSH/ Fshati Bicellë, edhe pse gjendet vetëm 15 kilometra larg Elbasanit, kërkon një orë rrugë me makinë, për shkak se mungon asfalti dhe është një shteg shumë i vështirë për t’u kaluar.

Drejtuesi politik i PD për Elbasanin, Gazment Bardhi pati një takim me banorët e fshatit të cilët i siguroi se reforma administrative do të rishikohet. “Fshatrat e harrura, dhe në distancë, duhet të kenë njësinë e tyre afër”, u shpreh ai.

Bardhi u shpreh se “s’do të ketë aq shumë komuna sa ishin, por gjithsesi, qendrat e pushtetit dhe shërbimit duhen afruar me njerëzit”.

“Ne do të kërkojmë konsensus maksimal edhe nga opozita nesër, pas 25 prillit që ta rishikojmë ndarjen territoriale. Nëse nuk do të ketë konsensus, do ta bëjmë me referendum”, u shpreh Bardhi.

Drejtuesi politik për Elbasanin, Gazment Bardhi, shprehet se dëmshpërblimi për banesat e shembura është detyrim ligjor. Ai u kërkoi banorëve që të mendohen dhe të reflektojnë përpara 25 prillit, dhe të mos u japin më besim politikanëve që mashtrojnë dhe kërkojnë pushtet vetëm për veten e tyre.

Plani i PD, parashikon subvencion për Bujqësinë dhe Blegtorinë, duke zhdukur burokracinë e NIPT-eve dhe dokumenteve që i kanë lodhur banorët e fshatit. Sipas PD-së, do të mjaftojë vetëm karta e identitetit, dhe mbështetja financiare do të jetë sipas dynymëve dhe krerëve të bagëtive. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.