Zgjedhjet e 25 prillit/ PD dhe LSI nënshkruajnë marrëveshjen e koalicionit paszgjedhor

TIRANË, 1 mars /ATSH/ Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nënshkruan sot një marrëveshje koalicioni për zgjedhjet e 25 prillit.

“Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, me angazhimin solemn për të zgjidhur problemet kritike kushtetuese, institucionale, politike, ekonomike, sociale si dhe ato të shëndetit publik, me të cilat përballet vendi dhe që e kanë çuar situatën në Shqipëri në një udhëkryq tepër të rrezikshëm;

Mbështetur dhe në vijim të marrëveshjes së krijimit të Opozitës së Bashkuar, të datës 23/04/2019;

Në përgjigje të ndryshimeve arbitrare, antikushtetuese të Kodit Zgjedhor dhe të Kushtetutës së Shqipërisë të datës 30 Korrik, 2020;

Me synimin për t’i dhënë Shqipërisë një qeverisje të re, ‘nga njerëzit – për njerëzit’, e cila do t’i japë fund polarizimit të tejskajshëm, politik, ekonomik dhe social, që ka vendi, t’i kthejë atyre besimin për ndërtimin e Shqipërisë si gjithë Europa, duke krijuar mundësi për punësim të mirëpaguar, duke çliruar ekonominë dhe duke i ofruar çdo qytetari, të rinjve dhe grave, sipërmarrësve dhe pensionistëve, mundësi reale për mirëqenie dhe prosperitet.

Vendosin: Përballimi dhe zgjidhja e problemeve kritike të vendit do të jenë objektivi themelor i programeve elektorale në zgjedhjet e 25 prillit dhe shtyllat e Programit Qeverisës të përbashkët pas fitores së zgjedhjeve”, thuhet në tekstin e marrëveshjes së firmosur nga kryetari i PD, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.

“Si Opozitë e Bashkuar, PD dhe LSI do të konkurojnë në zgjedhje me dy lista (PD-AN + LSI), për të realizuar një përfaqësim të plotë dhe sa më gjithëpërfshirës politiko-elektoral dhe kurorëzimin e fitores së Opozitës në zgjedhjet e 25 Prillit 2021.

Të respektojnë shtyllat themelore programore të të dy partive respektive në qeverisjen e ardhshme.

Përfaqësimi në të gjithë nivelet e qeverisjes së ardhshme do të realizohet proporcionalisht mbi bazën e rezultatit zgjedhor”, thuhet në tekstin e marrëveshjes.

“Opozita e Bashkuar do të jetë unanime në angazhimin e tyre në qeverisje për t’i dhënë përgjigje dhe zgjidhje të menjëhershme për sa më poshtë vijon:

Nxjerrjen e vendit nga kriza shumë e rëndë ekonomike e shkaktuar nga qeverisja klienteliste dhe bashkëpunëtore e oligarkisë dhe e krimit. Rikthimi i ekonomisë në funksion të punësimit dhe mirëqenies së qytetarëve, duke i dhënë fund grabitjes më të madhe të ndodhur ndonjëherë në historinë e Shqipërisë, përmes koncesioneve, oligarkëve, korrupsionit me paratë publike, që ka pushtuar çdo nivel të qeverisjes. Ky transformim ekonomik do të realizohet me një program të qartë dhe të diskutuar gjerësisht me qytetarët dhe grupet e interesit.

Përmbushjen e të gjitha kushteve për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe dhënien fund të çdo pengese të krijuar nga qeverisja aktuale për këtë proces jetik për të gjithë shqiptarët si dhe për mobilizimin e të gjithë faktorëve politikë dhe të shoqërisë civile për realizimin e këtij objektivi.

Rivendosja e shtetit të së drejtës dhe e sundimit të ligjit, çlirimin e shtetit nga kapja, rikthimin e llogaridhënies, duke i dhënë fund abuzimit dhe shkeljes flagrante të Kushtetutës dhe ligjeve, pandëshkueshmërisë së zyrtarëve publikë dhe fenomeneve shkatërruese si korrupsioni dhe uzurpimi i pushtetit për përfitime dhe interesa vetjake.

Ndërtimin e një aksioni qeveritar intensiv për të frenuar shpopullimin masiv.

Prioritarizimin e krijimit të punësimit të mirëpaguar, si rruga kryesore për të përmirësuar jetën e shqiptarëve.

Realizimin e një programi qeverisës me prioritet rininë, për një arsimim cilësor dhe mundësi të gjera punësimi të saj, për të eleminuar tragjedinë e shpopullimit dhe largimit masiv të të rinjve dhe për integrimin e mëtejshëm në drejtim, në politikëbërje dhe në shoqëri.

Për të garantuar mundësi të barabarta për përfaqësimin e gruas në vendimmarrje, për emancipimin dhe fuqizimin e saj në shoqëri dhe politikëbërje.

Për të realizuar një luftë pa kompromis kundër krimit të organizuar, trafiqeve të çdo lloji dhe pastrimit të parave të pista, si shkaqe penguese kryesore për zhvillimin e vendit dhe sigurinë publike të qytetarëve.

Për të zgjidhur në mënyrë prioritare problemin e rindërtimit të banesave të dëmtuara dhe të shkatërruara nga tërmetet. Për një proces shumë të shpejtë, jokorruptiv e selektiv dhe me garanci juridike për pronën e tyre, që u mundëson qytetarëve të kenë në kohën më të shpejtë të mundshme njësitë e banimit apo të shërbimit.

Për t’i dhënë fund problemit kritik të pandemisë COVID-19, duke zbatuar një plan shëndetësor-social, i cili i jep përgjigje kufizimit të përhapjes, realizimin e testimeve, gjurmimeve dhe trajtimeve mjekësore, rimbursimin e shpenzimeve për pacientët, që trajtohen në banesë, vaksinimin e gjerë të popullatës larg trajtimit diskriminues. Për të realizuar planin e rimëkëmbjes së ekonomisë dhe mbështetjes së qytetarëve dhe biznesit të prekur nga pandemia.

Për zhvillimin real dhe të qenësishëm të kulturës dhe sportit.

Për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe për t’i dhënë fund dëmtimit, tjetërsimit dhe asgjësimit të saj.

Për garantimin e rikthimit të pronave për komunitetet fetare në vendin tonë”, theksohet në marrëveshjen e PD dhe LSI.

Kryetari i PD, Lulzim Basha, pas firmosjes së marrëveshjes u shpreh se, “udhëtimi ynë i përbashkët për të ndryshuar Shqipërinë fillon sot. Koalicioni ynë, Partia Demokratike dhe Aleanca për Ndryshim dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, ka bashkuar të gjitha forcat për të garantuar që 25 prilli të jetë dita e ndryshimit”.

“Pas 8 vite dështimesh, 8 vitesh premtimesh boshe, pas 8 vitesh ku Shqipëria ka mbetur vendnumëro në të gjitha drejtimet, ndërsa vendet e ngjashme me ne kanë përparuar dhe janë përmirësuar, ka ardhur koha që të ndryshojmë. Ne do të sjellim ndryshimin”, theksoi ai.

“Tani ka ardhur çasti të bashkohemi, tani ka ardhur çasti të fitojmë së bashku për Shqipërinë, për familjet tuaja, për çdo shqiptar. Të shkojmë shtëpi më shtëpi, rrugë më rrugë, fshat më fshat, qytet më qytet, dhe të garantojmë fitoren e 25 Prillit, fitoren e zgjedhjeve me anë të së cilës do të fitojë Shqipëria, do të fitojnë familjet tuaja dhe e ardhmja e fëmijëve tanë”, u shpreh Basha.

Pas firmosjes së marrëveshjes kryetarja e LSI Monika Kryemadhi tha se, “sot LSI dhe PD janë bërë bashkë si një aleancë kundër dështimeve të qeverisë së Ramës dhe sot në një ditë që ne bashkohemi formalisht, do të bashkojmë forcat dhe të punojmë me njëri tjetrin në shërbim të popullit shqiptar”.

“Partneriteti ynë dërgon një sinjal të fortë dhe të qartë për të gjithë shqiptarët se ndryshimi po vjen, se ndryshimi është i paevitueshëm dhe se ditë më të mira ka përpara për shqiptarët kudo që jetojnë”, u shpreh ajo.

“Ne dhe Partia Demokratike jemi të unifikuar në besimin se vendi po shkon drejt drejtimit të gabuar dhe se duhet të bëjmë më shumë për të lëvizur Shqipërinë dhe shqiptarët atje ku ata duan të jenë, në Bashkimin Europian, që të kenë një jetë më të sigurt, të kenë një kosto jetese më të ulët, të kenë një standard jetese më të lartë, të kenë një arsimim më të mirë për fëmijët e tyre, të kenë një sistem shëndetësor më të mirë për ta dhe mbi të gjitha duhet të ndihen në Shqipëri si në shtëpinë e tyre”, tha Kryemadhi.

“Dua t’ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, që të bashkohemi të tërë së bashku, të shkojmë drejt kutive të votimit më 25 prill. Referendumi i 25 prillit nuk është kalkulim politik. Referendumi i 25 prill është mision. Është mision kombëtar për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë çdo sekti, që kërkon të marrë peng të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, theksoi ajo.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.