Zgjedhjet e 25 prillit/ Deputeti i opozitës, Nimet Musai i bashkohet mazhorancës

TIRANË, 1 mars/ATSH/ Deputeti Nimet Musai është një tjetër deputet i opozitës parlamentare që i bashkohet mazhorancës.

Lajmin e bëri me dije vetë ai gjatë fjalës në foltoren e Kuvendit, ku tha se ka zgjedhur të jetë në anën e reformatorëve që janë shumë më shumë se thjesht socialistët duke i ngritur ata në piedestal në aspektin e vlerësimit politik.

“Situata jonë është delikate. Gjuha e parafushatës është e ashpër. Duhen tone pozitive. 25 prilli duhet të jetë dita e festës kombëtare. Nuk ka vend për heshta, por për heshtje. 25 prilli është e ardhmja dhe jo Mesjeta. 25 prilli duhet të na ndajë nga mesjetarizmi politik. Dua t’i jap përgjigje interesit të disa gazetarëve. Unë zgjedhjen time e ka bërë. Do të jem në anën e reformatorëve të drejtësisë. Në anën e menaxhuesve të situatave vështira si tërmeti dhe pandemia”, tha ai.

Musai tha se, “zgjedhjet e ardhshme nuk janë mes socialistëve dhe demokratëve, por mes reformatorëve dhe shpërdoruesve dhe do jem në anën e të parëve që janë më shumë se thjesht socialistët që e tejkalojnë objektivin e thjeshtë”. “Ngjitën në majat më të larta integrimin e Shqipërisë”, tha Musai./m.m//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.