Sigurimet/ Të ardhurat nga primet e shkruara u rritën me 9 % në janar

TIRANË, 1 mars/ATSH/ Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit në janar të këtij viti kapën vlerën mbi 1,500 milionë lekë, ose 9.07 % më shumë se në janar 2020.

Referuar raportit të publikuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, gjatë janarit numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 71,184 me një ulje 29.81 % krahasuar me janarin e vitit 2020.

Tregu, theksohet në raportin e AMF-së, vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e jojetës, të cilat sollën 93.70 % të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e jetës me 6.30 %.

Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 45.95 % dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 54.05 % të totalit të tregut.

Gjatë janarit 2021, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 541 milionë lekë, ose 28.07 % më pak se në janar 2020.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.