Siguria ushqimore, 248 inspektime dhe monitorime në të gjithë vendin

TIRANË, 1 mars /ATSH/ Trupat inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, vijojnë pandërprerë inspektimet dhe monitorimet me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore, ku gjatë ditës së sotme ka kryer 248 inspektime dhe monitorime në të gjithë vendin.
Gjatë ditës së sotme janë realizuar nga Drejtoritë Rajonale të AKU-së 248 inspektime dhe monitorime në bazë të fushës së veprimtarisë të planit mujor të inspektimit dhe mbi bazën e denoncimeve.
Gjatë kontrolleve zyrtare në operatorët e biznesit ushqimor janë dhënë 23 masa me paralajmërim kryesisht për rinovim të librezës shëndetësore, të planit DDD si dhe rinovim i analizave mikrobiologjike të ujit.
Referuar Planit të Marrjes së Mostrave janë marrë 13 mostra në monitorim të produkteve ushqimore.
Në zbatim të Urdhrit “Për bashkërendimin e inspektimeve për zbatimin e protokolleve të sigurisë në kuadër të taskforcës antikovid” inspektorët e DRAKU-ve përveç monitorimeve të subjekteve kanë këshilluar 459 qytetarë për mbajtjen e maskave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Gjatë monitorimit në subjekte, u krye vëzhgimi mbi përdorimin e maskave nga punonjësit, si dhe këshillimi i përfaqësuesve të subjektit për ruajtjen e distancës së sigurisë gjatë blerjeve.
/k.s/j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.