Shpenzimet kapitale gjatë janarit llogariten 963 milionë lekë

TIRANË, 1 mars/ATSH/ Shpenzimet kapitale, për muajin e parë të vitit 2021 kanë një realizim në masën 963 milionë lekë ose 142 % në raport me fondet e planifikuara për këtë periudhë.

Sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, ky realizim është i gjithë me financim të huaj, pasi projektet e investimeve me financim të brendshëm nuk kanë patur realizim.

Financimi i huaj kanë shënuar një realizim prej 169.5 % të planit të periudhës, ose 395 milion lekë më shumë.

Krahasuar me planin vjetor, për 1-mujorin e vitit 2021 është konstatuar një realizim i përgjithshëm i investimeve publike në masën 1 % të planit vjetor. Financimi i brendshëm nuk ka patur realizim, ndërsa financimi i huaj është realizuar në masën 2.8 % të planit vjetor.

Fondi i rindërtimit për 1-mujorin e vitit 2021 ka rezultuar 6 milionë lekë nga 800 milionë lekë të planifikuara për këtë periudhë. Sipas MFE-së, ky realizim i përket qeverisjes vendore. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.