SHBA – Trump nuk përjashton rikandidimin në 2024

UASHINGTON, 1 mars /ATSH-DPA/ – Në daljen e tij të parë publike që nga largimi nga detyra, ish-presidenti i SHBA, Donald Trump nuk përjashtoi mundësinë që ai të mund të kandidonte përsëri në vitin 2024.

Duke folur në Konferencën e Konservatorëve për Veprimin Politik (CPAC) në Orlando, Florida, republikani nuk deklaroi shprehimisht se do të kandidonte përsëri në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të SHBA, por duke lënë të kuptohet për një garë të re të mundshme në 2024.

“Unë gjithashtu mund të vendos t’i mposht për herë të tretë”, tha ai duke lënë të nënkuptuar se në të vërtetë ai i kishte fituar edhe zgjedhjet e nëntorit kundër demokratit Joe Biden.

Ish presidenti, i cili ndodhet në Mar-a-Lago, Florida, pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë më 20 janar, vazhdon të përsërisë pretendimet e tij mbi “zgjedhje të vjedhura” dhe me vendosmëri refuzon të pranojë humbjen e tij.

Ai pretendon se i ishte grabitur fitorja nga mashtrimi masiv i zgjedhjeve, por ai kurrë nuk paraqiti ndonjë provë.

Biden mori 81 milionë vota në zgjedhje dhe një shumicë të qartë të elektoratit, ndërsa më shumë se 74 milion amerikanë votuan për Trump./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.