Shalsi: PS ka krijuar një aleancë të fortë me shqiptarët, menaxhuam dy kriza shumë të forta

TIRANË, 1 mars/ATSH/ Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi deklaroi sot se aleanca e Partisë Socialiste është shtrirë me qytetarët e Shqipërisë, të cilët janë të gatshëm t’i japin një madat të tretë duke pritur të bëjë më shumë dhe më mirë për ta.

Në  një intervistë televizive, Rama tha se “ne duam aleatë sipas bindjeve, pavarësisht se sipas të gjitha sondazheve që po bëhen në Shqipëri, PS ka krijuar një aleancë të fortë me shqiptarët”.

Shalsi u shpreh se “ka qenë fat për Shqipërinë dhe për shqiptarët që kanë patur këtë qeveri dhe Edi Ramën si kryeministër për të menaxhuar dy kriza shumë të forta. Sepse nëse do të kthejmë kokën pas dhe të mbajmë mend rastin e përmbytjes së Shkodrës vite më parë, nuk ishte vetëm sasia e reshjeve, por ishte keqmenaxhimi i hidrocentraleve që shkaktoi atë kaos. Edhe kur u larguan nga pushteti ata, ne trashëguam një mal me borxhe”.

“Mund t’ju them se në rastin e tërmetit ajo krizë dhe ajo tronditje e jashtëzakonshme, po shndërrohet në një mundësi zhvillimi. Bëhet fjalë për një filozofi të re të zhvillimit të territorit”, – tha Shalsi.

“Ne do të marrim një mandat të tretë nga aleatët tanë kryesorë, që janë qytetarët e Republikës së Shqipërisë. Pra ne do të çojmë përpara të gjithë projektet që kemi nisur falë mbështetjes masive të shqiptarëve. Nuk ka aleat më të madh sesa qytetarët e Republikës së Shqipërisë”, u shpreh ai.

Duke folur për pasojat e pandemisë tek biznesi, Shalsi tha se “për herë të parë kam takuar biznesmenë gjatë pandemisë në sytë e të cilëve konstatoja lot”.

“Pra, biznesmenë duke qarë. Është një periudhë e vështirë për sipërmarrjen. Kriza është globale. Shumë vende edhe më të zhvilluara se Shqipëria u kapën në befasi. Madje vetëm disa ditë më parë, teksa diskutonim për paketat, programet, vumë re disa konkluzione të vendeve të zhvilluara të BE-së, sesi nxitimi për t’iu përgjigjur kërkesave të biznesit me shpejtësi në fillim të pandemisë, nuk kishte shërbyer për t’i ndihmuar në mënyrë sa më efikase dhe eficiente”, u shpreh ai. /k.s/j.p/

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.