Ndryshimi i kontratës me S2 Albania/ Denaj: Lehtëson barrën financiare dhe buxhetin e 2020

TIRANË, 1 mars/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, paraqiti në Kuvend projektligjin për një ndryshim në kontratën koncesionare të skanimit të kontejnerëve dhe automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë, të lidhur midis Ministrisë së Financave dhe shoqërisë koncesionare “S2 Albania” sh.p.k.

Gjatë prezantimit, ministrja Denaj u shpreh se, nevoja për këtë ndryshim kontrate ka ardhur si pasojë e dy domosdoshmërive, lehtësimin e barrës financiare dhe buxhetore në buxhetin e vitit 2020 dhe për lehtësimin në nivel afatshkurtër të buxhetit të vitit 2021 e përtej nga situata e krijuar nga pandemia COVID-19.

Sipas saj, negociatat e gjata të bëra me këtë kompani, bënë të mundur lejimin e shtyrjes me 100 % të pagesës së çdo kësti mujor të tarifës së shërbimit të secilës pikë operimi për muajt shtator, tetor, nëntor nga tarifa vjetore e shërbimeve të pikës së operimit për vitin 2020, si dhe shtyrjen e shlyerjes së detyrimit të mbetur nga kësti i muajit gusht për tarifën e shërbimit të një pike operimi. Kёto pagesa do tё shlyhen përgjatë vitit 2022.

Ministrja Denaj prezantoi para deputetëve një përmbledhje të një sërë shkurtimesh dhe rialokimesh që Qeveria bëri vitin e kaluar të të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore, në zërin e partneriteteve publik-privat.

“Në vitin 2020, kemi reduktuar me 4 miliardë pagesat për kontratat e partneritetit publik dhe privat, ku midis tyre u përgjysmua edhe pagesa koncesionare e vitit 2020 për shoqërinë koncesionare “S2 Albania” sh.p.k, në masën 400 milionë lekë”, u shpreh Denaj.

Denaj foli edhe mbi angazhimin e qeverisë në proceset e mirëmenaxhimit të koncesioneve dhe partneritetit publik privat, ku veçoi ndryshimet kryesore legjislative të vitit 2019 në ligjin për partneritetin publik privat dhe koncesionet, në përfitim të llogaridhënies dhe transparencës.

“Së pari, hoqëm propozimet e pakërkuara për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale me rëndësi të veçantë. Së dyti, është heqja e bonusit për propozimet e pakërkuara. Me qëllim rritjen e transparencës dhe trajtimit të barabartë për të gjithë operatorët në procedurën konkurruese është hequr mekanizmi i shpërblimit me pikë bonus, për propozime të pakërkuara. Së treti forcimin e rolit monitorues dhe të forcimit të transparencës të transaksioneve të qeverisë”, bëri të ditur ajo.

Këtë rritje të transparencës, vuri në dukje Denaj, e ka bërë të mundur Partia Socialiste dhe jo Partia Demokratike.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.