Ndryshimet në buxhetin e 2021/ Angjeli: Nuk preken aspak objektivat që kanë të bëjnë me rritjen ekonomike

TIRANË, 1 mars/ATSH/ Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Anastas Angjeli u kërkoi sot deputetëve të miratojnë ndryshimet e paraqitura në buxhetin e vitit 2021, përmes një Akti Normativ, pasi tha ai, kështu mbështesim procesin e zgjedhjeve të lira të 25 prillit.

Përmes këtyre ndryshimeve, vuri në dukje Angjeli gjatë seancës plenare të Kuvendit, i bëhet favor demokracisë në Shqipëri dhe një procesi që ne duam të gjithë, të kemi zgjedhje të lira, demokratike e me standard.

Por, theksoi Angjeli, pa plotësuar kushtet që ka marrëveshja e partive politike, ku bën pjesë edhe verifikimi elektronik me mbështetje financiare nuk mund të realizohet procesi.

“Dhe të jemi të sinqertë të gjithë, një nga kushtet themelore të vazhdimit të proceseve të vërteta demokratike të vendit tonë, integrimit në BE, është pikërisht realizimi i procesit të zgjedhjeve të 25 prillit. Dhe qeveria Rama është e vendosur dhe i ka bërë thirrje edhe grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe u bën thirrje të gjithëve që të mbështesin pikërisht këtë qëllim, realizimin e zgjedhjeve të lira demokratike me standard bashkëkohor, që të lëmë pas çdo lloj aludimi që ka pas për zgjedhjet në Shqipëri. Ndaj mbështetja financiare në Aktin Normativ është pikërisht në funksion të këtij qëllimi”, u shpreh Angjeli.

Sipas tij, me ndryshimet që bëhen nuk preken aspak objektivat e vendosura në buxhetin e vitit 2021, të cilët kanë të bëjnë me treguesit makroekonomik, rritjen ekonomike e borxhin.

Ai shpjegoi se bëhet një shtesë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe kjo shtesë kompensohet me shtimin e objektivave në rritjen e të ardhurave buxhetore.

Njëkohësisht, tha Angjeli, kemi shtuar me 1 miliard lekë fondin rezervë, me qëllim që nëse ndodhemi përballë kërkesave e problemeve të tjera që procesi zgjedhor mund të nxjerrë, apo institucionet ndërkombëtare do të kërkojnë për realizimin më të mirë të këtij procesi, fondet financiare të jenë në dispozicion.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.