MSHMS: Shtyhet me 24 orë dërgesa e “Pfizer”, 15 210 dozat e vaksinave do të mbërrijnë të martën

TIRANË, 1 mars /ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informon se 15 210 dozat e vaksinave të kompanisë “Pfizer” do të mbërrijnë ditën e martë në Shqipëri.

“Sapo kemi marrë njoftim nga kompania dhe autoriteti përgjegjës për transportin e sigurt të vaksinës, se sasia e vaksinave ‘Pfizer’, e konfirmuar për të mbërritur mbrëmjen e sotme, shtyhet me 24 orë”, bën të ditur MSHMS.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të informojë për çdo zhvillim lidhur me mbërritjen e vaksinave në vendin tonë ndërkohë që informon qytetarët se procesi i vaksinimeve po vijon sipas planit në qendrat e vaksinimit të përqendruar, me vaksinimin e personelit shëndetësor dhe grupmoshën +80 vjeç, sipas fashave të përcaktuara.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.