“Mos të guxojë kush të prekë votën se do t’i pritet dora”/ Meta: Nëse Rama fiton, marr drejtimin e opozitës

TIRANË, 1 mars/ATSH – I. Vata/ Presidenti Ilir Meta deklaroi sot në një intervistë televizive se 25 prilli është një referendum për demokracinë, për shenjtërinë e votës dhe për paprekshmërinë e Kushtetutës.

Sipas tij, vetëm referendumi i 25 prillit hap negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian.

“Çdo qytetar që shet votën, nuk ka të drejtë të kërkojë llogari. Ai qytetar që nuk voton, nuk ka të drejtë të ankohet për keqqeverisjen”, u shpreh Meta, duke apeluar qytetarët të ndëshkojnë pa mëshirë, “këdo që bën presion me votën, këdo që tenton t’ju blejë votën, këdo që ju ka mashtruar”.

“Një votë po u prek, do pritet një dorë”, tha ai. “Mos guxojë kush të prekë votën se do t’i pritet dora! Kjo është e qartë dhe ta marrin vesh të gjithë”, tha Meta.

“Nëse Rama fiton 71 mandate me votë të lirë, unë do jap dorëheqjen nga posti i Presidentit. Nëse ai merr 71 mandate pa prekur votën e popullit unë kaloj në opozitë dhe marr drejtimin e opozitës”, u shpreh Presidenti Meta.

“Shqipëria me referendumin e 25 prillit do të hyjë në epokën e sundimit të referendumeve. Do dalë nga ajo periudhë e errët që ne i themi oligarki, apo një grusht i vogël njerëzish që e kanë kthyer Parlamentin në një institucion privat, kanë kapur gjithë institucionet e shtetit dhe i dimë të gjithë pasojat, dhe më shqetësuesi për mua si President është shpopullimi i Shqipërisë, sidomos nga të rinjtë dhe nga të mirarsimuarit”, u shpreh Meta.

Sipas tij, prekja e Kushtetutës me ligj antikushtetues ka sjellë këtë pasiguri të tmerrshme juridike dhe reflektohet nga çdo aspekt.

Në lidhje me marrëveshjen PD-LSI, Meta tha se ky është një zhvillim në të drejtën e partive, siç ka koalicione të tjera.

“Një gjë i kam bërë të qartë Bashës dhe Kryemadhit. Zgjedhjet do bëhen dhe nuk do të ketë asnjë dekret për shtyrjen e zgjedhjeve, pavarësisht se ata mund të provokohen vazhdimisht për të ikur prapë nga zgjedhjet dhe këtë do ta dijë çdo shqiptar, që zgjedhjet do të bëhen më 25 prill dhe askujt të mos i shkojë mendja që mund të përpiqet të krijojë situata që të bëjë grusht shtetit, apo dikush tjetër që të justifikojë një situatë të tillë nga këto situatat e çmendura që kemi parë ne në Shqipëri”, tha ai.

Meta shtoi se ata të dy që kanë firmosur sot marrëveshjen kanë bërë një gabim shumë të rëndë që kanë lënë parlamentin dhe që nuk kanë hyrë në zgjedhjet lokale.

“Dhe të mos presin zgjedhje daneze në Shqipëri, apo zgjedhje suedeze, por të vazhdojnë punën e tyre për zgjedhjet. Jam gati të bashkëpunoj me ta për punën e zgjedhjeve, të bashkëpunoj me çdo parti politike për mbrojtjen e zgjedhjeve. Ajo që unë nuk ia fal Kryemadhit është lënia e mandateve në parlament. Në demokraci nuk ka asnjë centimetër pas, sepse çdo boshllëk që e lë dikush e plotëson tjetri”, u shpreh Meta. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.