Mbërrijnë 15210 dozat e vaksinave të “Pfizer”/ Rama: Furnizimi do të vazhdojë çdo muaj pa ndërprerje, besimplotë për vaksinim masiv

TIRANË, 1 mars/ATSH/  Në Shqipëri mbërritën mbrëmjen e sotme 15,210 dozat e vaksinave të kompanisë “Pfizer”.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, ndodhej sot në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ku mbërritën vaksinat “Pfizer”.

Në fjalën e tij Kryeministri Rama theksoi se, “kanë ardhur 15 210 doza vaksina. Sot kemi marrë konfirmimin nga ‘Pfizer’ që do të marrim 30 mijë doza të tjera brenda muajit prill dhe skeduli do të vazhdojë çdo muaj pa ndërprerje, pasi është zgjidhur problemi i  boshllëkut që ishte krijuar mes dy fazave”.

“Kam shumë besim që shumë shpejt do të kemi një lajm shumë të mirë. Nga një anë kemi të konfirmuara 14 mijë dozat e para nga ‘AstraZeneca’ përmes COVAX brenda mesit të muajit mars. Nga ana tjetër po punojmë me disa burime të tjera. Jam shumë besimplotë që do të kemi së shpejti mundësinë e një vaksinimi masiv në të gjithë territorin për të thyer në vazhdimësi intensivisht zinxhirin e infektimeve dhe për pasur këtë sezon të ardhshëm turistik, një rënie të infektimeve drastike dhe një sezon në të cilin Shqipëria mund të jetë plotësisht e hapur për të gjithë që duan të vijnë. Kjo është sfida”, u shpreh Rama.

“Ju lutem durim, durim, sepse është një luftë e madhe tregtare që zhvillohet ditën dhe natën dhe ne nuk jemi mbrapa askujt, durim”, – tha Rama.

Aktualisht, në vend vijon procesi i vaksinimit antikovid në Tiranë dhe në disa qarqe fillimisht me bluzat e bardha dhe me të moshuarit mbi 80 vjeç.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.