Mazniku padit Berishën për shpifje: Nuk marr asnjë pagë e nuk jam në ato borde, Saliu mashtron si gjithmonë

TIRANË, 1 mars /ATSH – I. Vata/ Nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku ka paditur në gjykatë ish-kryeministrin Sali Berisha për shpifje.

Në padinë drejtuar gjykatës, Mazniku kërkon detyrimin e palës së paditur Sali Berisha që të përgënjeshtrojë deklaratat e rreme dhe denigruese duke publikuar në platformën “Facebook” dhe mediet kryesore në vend, me shpenzimet e veta vendimin e Gjykatës.

Gjithashtu, Mazniku i kërkon Sali Berishës dëmshpërblim për dëmin jashtëkontraktor të pësuar nga cenimi i nderit dhe personalitetit në vlerën 10.000.000 lekë si dhe pagimin e të gjithë shpenzimeve gjyqësore të këtij procesi.

Nënkryetari Mazniku, nënvizon se secili prej fakteve të deklaruara nga Berisha është një gënjeshtër që ka qëllime denigruese dhe se vetëm një shtetas pa asnjë përgjegjësi ligjore, morale dhe publike mund t’i thotë ato.

“Pavërtetësia e publikimit të të paditurit Sali Berisha është një e pavërtetë, trillim e abuzim në nivelet e denigrimit të figurës dhe imazhit, sa vetëm një shtetas pa asnjë përgjegjësi ligjore, morale dhe publike mund t’i thotë ato.

Paditësi Arbian Mazniku nuk ka asnjë lidhje me deklarimet e bëra, nuk ka asnjë lidhje midis çka është deklaruar nga i padituri dhe asaj çka është realisht e vërtetë.

Secili prej fakteve të deklaruara është një gënjeshtër që ka qëllime denigruese dhe ka cenuar imazhin e paditësit Mazniku”, thuhet në padinë e depozituar në gjykatë.

Kjo nuk është padia e parë ndaj Berishës. Vitet e fundit Berisha ka humbur disa procese gjyqësore duke u dënuar për shpifje nga gjykatat. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.