Manastirliu: Të angazhuar për përmbushjen e planit ambicioz të vaksinimit të popullatës brenda 14 muajve

TIRANË, 1 mars /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu deklaroi sot nga Kuvendi, se angazhimi i të gjitha strukturave është maksimal për të përmbushur planin ambicioz të vaksinimit të popullatës për 14 muaj.

“Nuk po ndalemi për asnjë moment për të garantuar rritjen e sasive të vaksinave, për të mundësuar planin tonë ambicioz të vaksinimit të popullatës për 14 muaj. Tashmë kemi garantuar më shumë se 1.6 milionë vaksina, por jemi duke vijuar për të garantuar kontrata të tjera dypalëshe në mënyrë që plani ynë ambicioz i vaksinimit 14-mujor, të ecë sipas këtij ritmi”, theksoi Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë foli gjithashtu për ndryshimet ligjore në Ligjin për Barnat dhe Shërbimet Farmaceutike.

“Nuk kemi humbur kohë për autorizimin për tregtim të vaksinave antikovid, por kemi qenë tejet të kujdesshëm për të miratuar dhe dhënë autorizimit e menjëhershme të tregtimit për vaksinat që janë të autorizuara nga EMA dhe FDA dhe sigurisht të parakualifikuara nga OSBH. Ndryshimet që ne sjellim për miratim, jo vetëm rregullojnë procedurat për tregtimin e barnave apo vaksinave në një kohë emergjente, përmes autorizimit të tregtimit të kushtëzuar, por mbi të gjitha ofrojnë më shumë garanci për kostot e përfitimet. Në rastin konkret këto ndryshime propozohen dhe vijnë për vaksinat kundër COVID-19, të cilat janë prioritare për parandalimin e infeksionit të shkaktuar nga ky virus”, deklaroi Manastirliu.

Ndryshimet në ligjin për barnat dhe shërbimin farmaceutik lidhen me aspektet rregullatore të tregtimit të barnave, duke përfshirë këtu të gjitha barnat të cilat vijnë nga Mbretëria e Bashkuar, pas daljes nga Bashkimi Europian si dhe futet për herë të parë një nocion i ri i autorizimit të kushtëzuar të tregtimit të barnave. Bëhet fjalë për një aspekt rregullator që nuk parashtrohej në aktet ligjore të deritanishme. Është një autorizim, i cili lëshohet nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, vetëm gjatë periudhave të epidemive apo fatkeqësive natyrore, pasi bari të jetë pajisur me autorizim tregtimi të kushtëzuar nga Agjencia Europiane e Barnave dhe/ose Administrata për Ushqimin dhe Barnat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (FDA).

Janë barna, të cilat synojnë trajtimin, parandalimin ose diagnostikimin mjekësor të sëmundjeve, të cilat dobësojnë shëndetin ose të sëmundjeve të rrezikshme për jetën, për barnat të cilat përdoren në situata emergjente, si përgjigje ndaj kërcënimeve të shëndetit publik, të njohura nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Më konkretisht, propozimet e këtij akti janë në funksion të lehtësimit të procedurave për lëshimin e një autorizimi tregtimi të kushtëzuar, për vaksinat kundër Covid-19, të cilat janë prioritare për parandalimin e infeksionit nga COVID-19.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.