Kushi për kampionin Izmir Smajlaj: Ambasador i shkëlqyer i yni, lartëson flamurin tonë kombëtar

TIRANË, 1 mars /ATSH-A. Fortuzi/ Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi në takimin e zhvilluar me kampionin e Ballkanit, atletin Izmir Smajlaj, shprehet se ai vazhdon të jetë një ambasador i shkëlqyer i yni, gjë të cilën e ka dëshmuar edhe kohët e fundit në disa gara ndërkombëtare.

“Atleti rekordmen Izmir Smajlaj vazhdon të jetë një ambasador i shkëlqyer i yni, pasi kohët e fundit ai ka bërë atë që di të bëjë më mirë: të shkëlqejë në gara ndërkombëtare dhe të lartësojë flamurin tonë kombëtar!” – tha Kushi.

“Medaljet e arta radhazi, në Vjenë, Stamboll dhe Beograd, e dëshmojnë atë si kampionin e padiskutueshëm të Gadishullit Ballkanik që vazhdon të na bëjë krenarë!” – shprehet ndër të tjera Kushi, ndërsa i uroi atij shumë mbarësi për në Lojërat Olimpike të Tokyo 2021.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.