Koncesioni i hidrokarbureve, PD kërkesë KQZ-së: Qeveria po shkel rregullat e zgjedhjeve

TIRANË, 1 mars /ATSH – I. Vata/ Partia Demokratike denoncoi sot aktin e qeverisë për koncesionin e ri të hidrokarbureve si shkelje e rregullave të përbashkëta për zgjedhjet.

Në deklaratë, PD i kërkoi KQZ të marrë masa për respektimin e Kodit Zgjedhor.

Në kërkesën e PD për KQZ citohet rregulli i shkelur nga qeveria: “4 muaj para datës së zgjedhjeve, deri ditën e zgjedhjeve ndalohet dhënia e kontratave publike të koncesionit/partneritetit publik privat (PPP), për të cilat nuk është bërë njoftim publik se do të zhvillohen, nuk janë vijim i një procedure koncesionare të identifikuar dhe nisur apo nuk janë parashikuar për t’u financuar nëpërmjet buxhetit të miratuar të vitit zgjedhor”.

“Procedurat e koncesionit që do t’u kushtojë qytetarëve 100 milionë euro për 10 vjet u bënë publike gjatë periudhës së ndaluar nga Kodi për nxjerrjen e të tilla akteve nga qeveria”, thuhet në deklaratën e PD-së. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.