Koalicioni opozitar/ Valteri: Një nga projektet më të turpshme të klasës politike

TIRANË, 1 mars /ATSH/ Deputeti i opozitës së re, Halit Valteri reagoi sot ndaj koalicionit të opozitës, duke e cilësuar si “një nga projektet më të turpshme të klasës politike në vend, ku dëshira për të denoncuar as nuk mund të diskutohet”.

“Kemi mbetur në ballin e kazanit dhe po ta krahasosh me një vit më parë, ku tërbimi është akoma më i fortë, sepse gjatë këtyre javëve të fundit shumë avuj mbytës nga dritaret dhe zgafallat e SHQUP-it dolën mbi sipërfaqe për t’u ngritur lart mbi kokat e të gjithë shqiptarëve”, tha Valteri duke folur në Kuvend.

Gjithsesi, shtoi Valteri, “aty poshtë vazhdon dhe nxin Lulzim Basha, njeriu që u ngjiz në prehrin e politikës së vjetër, duke u përgatitur dhe rritur prej saj, e ka të pamundur të krijojë një koalicion opozitar demokratik të vërtetë. Njeriu që pretendon sot të çlirojë vendin nga mjerimi dhe korrupsioni po krijon modelin më të shëmtuar të liberatorit”.

“Madje ka nga ata që thonë se të gjithë mendojnë, se nëse do të ishte shkruar një fat i zi për Shqipërinë dhe që Lulzim Basha të vinte në pushtet, vendi me siguri do të zhytej në barbari dhe primitivizëm”, tha Valteri.

“E kush nuk e mendon sot një gjë të tillë që në vend të flamurit valëvitet Monika, e cila nga ana tjetër vazhdon të qëndrojë në pritë, duke krijuar modelin e saj gjithashtu më të shëmtuar të bashkëfajtorëve me duar të pastra”, tha Valteri.

“Duket se e emrat e mbledhur dhe partitë e mbledhura rreth Lulzim Bashës kanë harruar se u shplanë para 8 viteve mirë nga shqiptarët. Janë të njëjtët njerëz që mblodhi Berisha në 2005-ën. Janë po të njëjtët surratër dhe në koalicionin e lulzim Bashës, të cilët mendojnë se ua kemi harruar gjëmat e tyre. Por ata harrojnë se ata janë një faturë tragjike të modeluar me daltën djallëzore të mashtrimit dhe të mjerimit, të puthitur mirë njëri pas tjetrit nën presionit të së ardhmes, për t’u lënë në harresë aty përgjithmonë në hijen e kultit të individit”, theksoi Valteri.

“Nuk mendoj se Mediu, Mona, Nardi, Idrizi janë demokratë. Në fakt ata mund të ishin gjithëfarësoj, veç demokratë jo. Janë njerëz që për 30 vite i janë turrur me shkop dhe me strajcë çdo kazani, sahani, tepsie e sinie, po prapëseprapë ballë kazani kanë mbetur”, u shpreh Valteri.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.