Gjiknuri: Parimi i ndryshimit nuk është të kthehesh pas tek një gjë e keqe që e ke provuar

TIRANË, 1 mars/ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjknuri, deklaroi sot se qytetarët e ndjejnë çdo ditë se çfarë ka bërë Partia Socialiste gjatë qeverisjes.

Në një emision televiziv i pyetur për alternativat që kanë shqiptarët në zgjedhjet e 25 prillit, Gjiknuri u shpreh se “qytetarët e ndjejnë çdo ditë se çfarë ka bërë PS”.

“Qytetarët janë aq të mençur dhe deri diku modest edhe për gjërat që nuk janë bërë, për fatkeqësitë që ka pasur ky vend, disa nga tërmeti e disa nga pandemia. Nisur nga kjo qytetarët dinë të vlerësojnë se kush janë ofertat që kanë për të zgjedhur”, u shpreh Gjiknuri.

Sipas tij, PS i del zot më mirë gjërave sesa pala tjetër, e cila përgjithësisht nuk përfaqëson asgjë të re.

“Partia Socialiste është një parti që i del zot më mirë gjerave sesa menuja politike që ka në krahun tjetër që përgjithësisht nuk përfaqëson asgjë të re. Janë njerëz të provuar, janë po ata liderë politikë, njëri ka qenë në bashki. E dyta janë personazhe publikë që janë provuar dhe nuk mund të ofrojnë asgjë të re”, – tha Gjiknuri.

“Në këtë pikëpamje qytetarët dinë të bëjnë krahasimin, por parimi  i ndryshimit nuk është të kthehesh mbrapa tek një gjë që ka qenë e keqe dhe e ke provuar”, – shtoi Gjiknuri.

Më tej Gjiknuri u shpreh se “PS është aktori më i mirë në terren dhe jep më shumë besueshmëri nga ajo që ka bërë. Shqipëria është më e bukur dhe rregullt se ç’ka qenë nga një Shqipëri e shëmtuar dhe kaotike që ishte ndërtuar në kohën e Sali Berishës”. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.