GJERMANI – Ekspertët: Zgjatje e bllokimit antiCOVID-19 për të luftuar valën e tretë

BERLIN, 1 mars /ATSH-AA/ – Eksperti më i lartë gjerman për Kujdesin Intensiv, Gernot Marx, i ka kërkuar qeverisë federale të zgjasë bllokimin aktual të vendit për të paktën tre javë të tjera, mes frikës në rritje për mutacionet e COVID-19.

“Përndryshe do të jetë shumë e vështirë ose edhe e pamundur  që të kontrollojmë valën e tretë”, paralajmëroi Marx, presidenti i Shoqatës Ndërdisiplinore për Kujdesin Intensiv dhe Mjekësinë e Urgjencës (DIVI) në kanalin e lajmeve NTV.

Gjermania ka qenë nën bllokim të rreptë që nga nëntori dhe qeveria e kancelares Angela Merkel është nën një presion në rritje nga grupet e biznesit për të lehtësuar kufizimet këtë muaj.

Sidoqoftë, DIVI paralajmëroi kundër një vendimi të nxituar për rihapjen, duke theksuar se masat lehtësuese mund të mbingarkojnë sistemin shëndetësor në javët e ardhshme për shkak të mutacioneve më ngjitëse dhe më të rrezikshme të virusit.

Sipas projeksionit të DIVI, në skenarin më të keq, numri i pacientëve me COVID-19 në njësitë e kujdesit intensiv (ICU) mund të arrijë 25 000 në mes të majit, nga numri aktual 2 840.

Gjatë kulmit të valës së dytë në dhjetor, gati 6 000 shtretër ICU u mbushën me pacientë COVID-19 të sëmurë rëndë.

Merkel do të mbajë një videokonferencë të mërkurën me kryeministrat e landeve për të diskutuar situatën aktuale dhe për të vendosur nëse do të zgjatet ose jo bllokimi i rreptë përtej afatit të 7 marsit./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.