GJEORGJI – Michel kërkon dialog për kapërcimin e krizës

TBILISI, 1 mars /ATSH-AFP/ – Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel i kërkoi sot opozitës dhe autoriteteve gjeorgjiane të bëjnë gjithçka për qetësimin e situatës, ndërkohë që ky vend i Kaukazit është zhytur që prej disa muajsh në një krizë të thellë politike.

“Bashkimi Europian u bën thirrje të gjitha palëve të rrisin përpjekjet për të qetësuar situatën dhe të bashkohen për të gjetur një gjuhë të përbashkët”, deklaroi presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel gjatë një konferencë të përbashkët shtypi me presidenten gjeorgjiane, Salomé Zourabichvili.

Charles Michel, vizita e të cilit në Gjeorgji ishte parashikuar para përkeqësimit të krizës politike javën e kaluar, shtoi se Brukseli ishte i shqetësuar nga kriza që po përkeqësohet akoma më shumë në Gjeorgji.

Gjeorgjia është në krizë që prej zgjedhjeve legjislative të tetorit, të fituara nga partia në pushtet, por për të cilat opozita ka denoncuar mashtrimin.

Të martën e kaluar, arrestimi i një figure të opozitës, Nika Melia, ka shkaktuar një sërë manifestimesh kundër qeverisë.

Charles Michel kërkoi një dialog mes partive politike, me opozitën dhe qeverinë dhe nënvizoi se një sistem gjyqësor performues dhe i pavarur është thelbësor për thellimin e partneritetit mes Gjeorgjisë dhe Bashkimit Europian./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.