Ekipi Kombëtar U-15 nis sot grumbullimin 3-ditor

TIRANË, 1 mars /ATSH/ -Ekipi Kombëtar U-15 nisi sot një grumbullim 3-ditor ku do të jenë të ftuar lojtarët e spikatur të vitlindjes 2007, të cilët aktivizohen me klubet shqiptare.

Nën urdhrat e trajnerit kuqezi, Armand Dama janë vënë 23 lojtarë me skuadrën që është grumbulluar në kompleksin “Tropikal” në Durrës.

Bëhet fjalë për futbollistë të rinj, që janë evidentuar në vazhdimësi nga specialistët e ekipeve Kombëtare në FSHF përmes seleksionimeve që zhvillohen rregullisht nga zyrat rajonale në FSHF. Lojtarët do t’u nënshtrohen testeve taktike dhe fizike, në mënyrë që stafi teknik të krijojë një ide të qartë për gjendjen e secilit.

Ky do është edhe grumbullimi i parë i ekipit Kombëtar U-15 për këtë vit me trajnerin Armand Dama, i cili u konfirmua në këtë post pak javë më parë.

Të mërkurën (datë 3 mars) kuqezinjtë e vegjël do të zhvillojnë edhe një ndeshje miqësore ndaj Teutës U-15, që do të luhet në ora 11:00 në fushën e kompleksit “Tropikal” në Durrës.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.