Drejtoresha e HINA-s, Vojvodiç: Shqipëria po rritet, marrëdhënie speciale me ATSH

TIRANË, 1 mars /ATSH/ – Shoh se Shqipëria po rritet, ndërkohë vërej se shqiptarët janë njerëz të hapur, të sjellshëm dhe shumë të ngrohtë, deklaroi drejtoresha e përgjithshme e agjencisë kroate të lajmeve, HINA, Branka Vojvodiç në një intervistë për ATSH.

Në kuadër të një vizite zyrtare dhe pas takimit të zhvilluar me drejtoreshën e përgjithshme, të ATSH, Armela Krasniqi për rritjen e bashkëpunimit mes dy agjencive, Vojvodiç i cilësoi marrëdhëniet mes HINA-s dhe ATSH-së si shumë të veçanta.

“Marrëdhëniet mes dy agjencive nuk mund të ishin më të mira. Ne ndihmojmë njëri-tjetrin sa herë që kemi mundësi dhe kemi një marrëdhënie të veçantë”, theksoi drejtoresha e përgjithshme e HINA-s, e cila gjatë takimit me Krasniqin prezantoi edhe sistemin e ri editorial të agjencisë kroate të lajmeve si një mundësi për rritjen më tej të bashkëpunimit për shkëmbimin e lajmeve, fotove dhe videove.

Ndonëse është vizita e saj e dytë në Shqipëri, Vojvodiç tha se ndihej njësoj si në vendin e saj.

“Kjo është hera ime e dytë që vizitoj Shqipërinë. E kam vizituar Shqipërinë 6 vite më parë dhe kur erdha këtu u ndjeva njësoj si në vendin tim dhe po ndihem po njësoj edhe sot, jo vetëm sepse ky është një vend i bukur, por edhe prej miqësisë së bukur me zonjën Armela për shkak të shumë gjërave të përbashkëta që kemi”, shprehet Vojvodiç në intervistën për ATSH.

Lidhur me fenomenin global të fake news, Vojvodiç thotë se edhe agjencia që ajo përfaqëson ka marrë masat e nevojshme përballë këtij fenomeni të rrezikshëm për informimin e opinionit publik.

“Ne nuk kemi mjete të veçanta për këtë, por ne kemi gazetarët tanë që dinë të bëjnë punën e tyre dhe ata po përballen shkëlqyeshëm me të”, thekson ajo.

Ndërkohë, e pyetur për tërmetin e 22 marsit 2020, që goditi rëndë Kroacinë dhe për pandeminë Covid-19, Vojvodiç tha se “nuk do ta harroj kurrë atë ditë, ishte një tërmet i fortë, por edhe ju dini shumë për tërmetet, pasi edhe këtu te ju ka qenë ky problem. Për shkak të pandemisë sigurisht u bë edhe më keq. Lajmi i mirë është se ne kemi aplikuar për të përfituar ndihmë financiare nga BE-ja, që është një nga anët e mira të të qenit pjesë e Bashkimit Europian”.

ATSH dhe HINA kanë një marrëdhënie të gjatë bashkëpunimi mes tyre, të vendosur menjëherë pas viteve 1990.

Dy agjencitë janë nënshkruese të Deklaratës së Tiranës, së bashku me 11 agjenci të tjera lajmesh. Deklaratë e miratuar më 4 dhjetor 2018 në Tiranë, pas konferencës së organizuar nga ATSH me temë “Agjencitë e Lajmeve vs Fake News”./a.jor/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.