Vasili: Vdekjet dhe infektimet prej COVID-19 nga më të lartat në botë, asnjë ndihmë nga qeveria

TIRANË, 28 shkurt /ATSH/ Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili deklaroi sot se vdekjet dhe infektimet prej COVID-19 në Shqipëri janë nga më të lartat në botë dhe nuk ka pasur asnjë ndihmë nga qeveria.

“Është një fakt shumë i rëndë që shifrat e vdekshmërisë, por edhe të prekjes dhe infektimit të qytetarëve, janë në nivelet më të larta botërore. Pra vdekshmëria dhe infektimet janë në nivelet më të larta botërore”, tha Vasili.

“Është shumë e qartë për këdo, që të gjitha llojet e masave të marra ishin masa politike dhe elektorale. Kufizimet pa kuptim, mbyllja me orare pa asnjë vlerë, gjobitja e dhjetëra mijëra qytetarëve, mbi 80 e ca mijë qytetarë janë gjobitur, ishin sigurisht masa të cilat kishin kuptim vetëm që të krijonin presion, në emër të qëllimeve politike dhe jo në emër të përballimit të pandemisë”, u shpreh Vasili.

“Kjo qeveri dhe ky kryeministër për t’i ikur problemit, bën sikur inspekton vaksinimet. Bën sikur shëtit nëpër Shqipëri duke i hallakatur njerëzit nëpër stadiume ditën për diell, përtej çdo rregulli vaksinues e ndërkohë nuk i ka dhënë përgjigje me vaksinimin asnjë kategorie të caktuar”, theksoi Vasili.

“Opozita pa reshtur e ka bërë dhe do ta bëjë punën e saj. Duke treguar rrugën sesi zgjidhet kjo çështje. E kemi treguar në mënyrë profesionale. E kemi këshilluar. Kemi treguar se në ç‘mënyrë duhet të veprojnë”, tha ai.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.