Rama publikon pamje nga kantieri i rindërtimit në Fushë-Krujë: Lagjja e Rilindjes, zonë rezidenciale për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi

TIRANË, 28 shkurt/ATSH/ Lagjet e reja, një kombinim i banesave individuale me ato kolektive, shërbimeve dhe rekreacionit do të jenë modeli i ri i zhvillimit urban të qyteteve që u goditën nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019-ës.

Një prej këtyre lagjeve që është ajo “Rilindja” në Fushë-Krujë ku puna vijon pa pushim për ndërtimin e qindra banesave për familjet e mbetura pa shtëpi nga tërmeti.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga kantieri në lagjen e re të Rilindjes në Fushë-Krujë, e cila pas disa muajsh do të jetë një ndër lagjet më të bukura rezidenciale të Shqipërisë, por jo për të pasurit po për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi.

“Mirëmëngjes dhe me Lagjen e Rilindjes së Fushë-Krujës, e cila pas disa muajsh do të jetë një ndër lagjet më të bukura rezidenciale të Shqipërisë, por jo për të pasurit po për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, që humbën gjithçka 15 muaj më parë nën goditjen tragjike të tërmetit, e të cilët kurrë nuk i lamë dhe nuk do t’i lemë vetëm, ju uroj një të diel të qetë”. tha Rama.

Lagjja “Rilindja” shtrihet në 10 hektarë tokë dhe do të ndryshojë rrënjësisht cilësinë e jetës së familjeve që së shpejti do të banojnë në këtë zonë, në kushte më të mira se ato që kishin deri një vit më parë.

Në këtë lagje po ndërtohen 15 pallate banimi me 100 apartamente, 128 shtëpi individuale, shkolla, qendra shëndetësore, zyra shërbimesh publike, zona të gjelbra, si edhe një treg modern për produktet e zonës. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.