Pjesë e skuadrës Kombëtare të PS në zgjedhjet e 25 prillit/Ambicia e kandidatëve për të çuar përpara projektet e nisura për transformimin e qyteteve

TIRANË, 28 shkurt /ATSH/ Në aktivitetin “Deputeti që duam” u prezantuan sot disa prej finalistëve që do të jenë pjesë e Skuadrës Kombëtare të PS në zgjedhjet e 25 prillit.

Një prej kandidateve të prezantuara sot ishte edhe Dhora nga qyteza e Maliqit e cila ka studiuar ekonomi. Ajo u shpreh se puna në bashkinë e Maliqit e ka ndihmuar shumë për të dëgjuar problematikat e qytetarëve.

“Mendoj se PS e ka pasur, por edhe e ka vizonin e qartë unik për ta transformuar Shqipërinë tonë”, tha ajo.

Një tjetër kandidat ishte Kabir Fishta, i lindur në Shkodër. Ai tregoi se, “në moshë të hershme u vendosa në Tiranë dhe mora edukim jashtë vendit në Zvicër. Aktivitetin në politike e kam nisur herë në Zvicër”.

“Një nga prioritetet kryesore që unë mendoj se do bazohet e gjithë kjo fushatë do të jetë prioriteti që do i kërkojë qeverisë që të ketë për qytetin e Shkodrës. Dua që qeveria t’i japë vëmendjen maksimale zhvillimit të këtij qyteti”, tha ai.

Një tjetër kandidate e prezantuar sot ishte Albana Hana, e cila ka përfunduar doktoraturën në Hamburg për Drejtësi. Ajo tha se “drejtësia dhe sistemi i drejtësisë kanë qenë bashkëshoqërueset e mia gjatë gjithë jetës. Reforma në drejtësi e ndërmarrë nga PS është një reformë e cila më prek shpirtërisht, është si reforma e familjes time, e shtëpisë time”.

“Unë jam vajza e një prokurori të nderuar i cili fatkeqësisht nuk jeton më, është ndarë nga jeta. Dhe për mua është si një amanet i pathënë të çojë përpara punën e tij”, tha ajo.

Një tjetër kandidat ishte Alfred Muharremi, i cili përfaqëson fëmijët jetim. “E gjithë shoqëria më njeh ndryshe si Alfred Muharremi i SOS fshatrave në Shqipëri. Vij nga një familje ndryshe nga familja biologjike, është familja e kujdesit të fëmijëve pa kujdes prindëror”.

Ai u shpreh se, “prej disa vitesh drejtoj lëvizjen e Advokimit të të Drejtave të fëmijëve dhe të Rinjve pa Kujdes Prindëror në vend. Lëvizje, e cila është e shtrirë në të gjithë Shqipërinë”.

“Ne kërkojmë që ajo familje biologjike që na ka munguar ta ndërtojmë atë”, u shpreh Muharremi. “Angazhimi im politik është që këtë ëndërr ta bëjmë realitet,”, tha ai.

Një tjetër kandidate ishte Eriola Hoxha nga Patosi, e cila punon si pedagoge e jashtme në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Shkencave Politike. Ajo u shpreh se, “në Patos ka shumë djem dhe vajza të reja të apasionuar që punojnë jo vetëm në emër të PS, por punojnë për të çuar punët deri në fund”.

Ajo tha se, “i besoj plotësisht dhe verbërisht kauzës së barazisë gjinore”. “Do të ulesha këmbëkryq me femrat e atij qyteti do të isha njëra nga ato. Do të isha zëri i tyre për t’i përfaqësuar denjësisht”, tha Hoxha. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.