Mandati i tretë vëmendje të veçantë Durrësit/ Shkodra ka paguar gjatë e padrejtësisht koston e zgjedhjeve që ka bërë

TIRANË, 28 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama konfirmoi sot se në zgjedhjet e 25 prillit do të jetë pjesë e skuadrës edhe në Durrës dhe ky mandat i tretë do të ketë një vëmendje të veçantë edhe për Durrësin, si porta kryesore e Mesdheut në Shqipëri, si një pol i pazëvendësueshëm ekonomik bashkë me Tiranën.

Në një takim me disa prej finalistëve që do të jenë pjesë e skuadrës kombëtare të 25 prillit, Rama u ndal te kandidatja që vinte nga qyteti i Durrësit, Kejda Ferra, e cila uroi që këto zgjedhje të shënojnë vazhdimin e ndryshimit rrënjësor në gjithë Shqipërinë, veçanërisht në Durrës.

Rama tha se “Durrësi është një potencial ende i pashfrytëzuar si duhet për gjithë Shqipërinë dhe si vendi ku na duhet të fitojmë sfidën e madhe të zhdukjes së të gjitha pasojave të 15 viteve më parë ku ka filluar një punë intensive që duhet të vazhdojë”.

“Sot ne jemi faktikisht në një udhëkryq mes të ardhmes dhe së shkuarës, me një punë që vazhdon duhet kryer dhe me një punë që askush nuk e bën dot më mirë se ne dhe pse ne nuk jemi më të mirët”, tha Rama.

Jona Liqejza është kandidatja që kërkon të përfaqësojë qytetarët shkodranë. Ajo tha se vjen nga shoqëria civile dhe se do që djemtë e saj të rriten në Shkodër. “Duhet të punojmë shumë që djemtë mos të tundohen për t’u larguar dhe t’i japim Shkodrës atributet e saj strategjike jo vetëm për të, por për gjithë rajonin. Shkodra të filloj të depolitizohet nga polariteti që i ka lënë prapa mendërisht dhe ekonomikisht. Mendoj se aderoj në një skuadër që ka vizionin e duhur dhe instrumentat për t’i çuar përpara”, tha ajo.

E pyetur nga Kryeministri Rama se çfarë do të korrigjonte, ajo tha se “për qeverisjen e PS-së në rang kombëtar mendoj se si forcë e majtë duhet të jetë shumë më proaktive në promovimin e barazisë sociale”. “Besoj shumë te barazia sociale. Nuk shoh se ka probleme në lirinë e fjalës dhe të përfaqësimit, ku janë bërë hapa cilësor, por aksesueshmëria te disa shërbime ende konsiderohet si privilegj në nivele më të vogla dhe populli mbi këto na gjykon”, tha ajo.

Rama tha se “nuk dua të justifikohem, por parapambetja e Shkodrës lidhet në radhë të parë me zgjedhjet që ka bërë Shkodra në vite”. “Ka zgjedhur gjithmonë të shkoj në një drejtim nga një kahje politike, por ku ka pasur gjithmonë polarizim, ekstremizim, dasi ekstreme dhe politika gjithmonë ka triumfuar mbi punën, fatet, jetët e njerëzve. Është zona me tensionin më të lartë të tifozllikut politik”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “tifozlliku politik në Shqipëri është jo i vogël dhe e cënon shpeshherë interesin e drejtpërdrejt të individit, sepse individi duhet të shohi interesin e drejtpërdrejt”. “Kush më bën punën? Kur ti merr në punë një hidraulik, elektricist, kopshtar, apo kur shkon te një mjek, një mësues për fëmijën ti nuk nisesh nga me cilën parti janë, por kush ta bën shërbimin më mirë. Kështu duhet të jetë zgjedhja kur vjen puna te skuadra që zgjedh, qeveria, kryeministri që zgjedh. Mund të mos dua ta shoh me sy Edi Ramën por është kali që ma mban më mirë këtë ngarkesë me e çu në anën tjetër të lumit. E marr të mirëqenë që ka diçka këtu që edhe unë dua ta shoh, por në thelb Shkodra ka paguar shumë gjatë dhe padrejtësisht koston e zgjedhjeve që ka bërë, duke i dhënë politikës një prevalencë shumë të madhe se sa interesi i njerëzve, familjes, qytetit”, tha Rama.

Një tjetër finalist i platformës “Deputeti që duam” është edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Bardhyl Kollçaku.

Gjatë takimit në kuadër të programit “Deputeti që Duam”, Kollçaku prezantoi veten, duke përmendur eksperiencat e tij në karrierë ndërsa u premtoi qytetarëve se do t’u gjendet pranë.

“Ajo që dua të ndaj me të gjithë është se vij siç u tha nga një familje e thjeshtë me 9 vëllezër dhe motra me prindër të thjeshtë, babai karrocier dhe nëna fermere por që na mësuan se me punë e djersë mund të arrihet gjithçka. Kam shërbyer me detyra të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Karriera ime ushtarake është e ndërtuar dhe me edukimin civil, i cili në shumicën e rasteve është bërë individual. Do jetë një garanci që edhe në këtë karrierë të re për tu shërbyer dëgjuar të gjitha shtresat qoftë fermerët qoftë intelektualët qoftë ushtarakët, punonjësit e policisë për të gjithë institucionet e mbrojtjes por edhe për qytetarët e Beratit që i njoh mirë. U jap fjalën dhe garancinë e ushtarakut që do jem një nga ata në zemër në shpirt për të realizuar të gjitha projektet”, tha Kollçaku.

Shpresa Manoj ishte kandidatja që kërkon të përfaqësojë qytetarët e Kurbinit. “Sot që flasim Kurbini drejtohet suksesshëm nga një grua, tabu që në Kurbin u thye. Pse jo, mendoj që Kurbini të ketë një deputete grua. Jam e bindur dhe kam vullnetin e plotë për të dhënë kontributin maksimal për qytetarët e Kurbinit në çdo kohë”, tha ajo.

Rama tha se “tabuja ka qenë e fortë, aq e fortë sa edhe unë e ne këtu kurajon për ta thyer e gjetëm me pak vonesë”. “Faktikisht sot në Kurbin kemi një kryetare bashkie që është absolutisht nga zgjedhjet më të mira të bëra dhe nga kryebashkiakët më ambiciozë, të vullnetshëm, rezultativ. Me pa të drejtë, PS i ka besuar shumë forcës së burrit në atë zonë” tha Rama.

Një tjetër kandidate e cila shprehu ambicien për t’u bërë deputete e PS-së në Kukës, Gerta Duraku, tha se synon që të zhvillojë turizmin në këtë qytet.

“Do kisha shumë dëshirë që të jem deputetja e parë në Kukës. Mendoj që duke shfrytëzuar eksperiencën disa vjeçare në biznes, unë duke vlerësuar deri tani punën e qeverisë që vazhdon në Kukës, duke qenë që i është dhënë një hov infrastrukturës, qëllimi im kryesor është t’i jepet përparësi turizmit në Kukës. Mendoj që duhet të punojmë dhe unë do punoj fort. Unë mendoj që do jem nga ato lypset më të forta pasi do kërkoj shpesh ndihmën e qeverisë për të arritur këto qëllime. Kam ambicie pasi dua ta shoh Kukësin njësoj si vendet e tjera. Mendoj që duhet të hapim sa më shumë vende të reja pune”, tha ajo. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.