FOTO/ Bashkëpunimi në fushën e teknologjisë së informacionit, në qendër të takimit Krasniqi-Vojvodiç

TIRANË, 28 shkurt /ATSH/ – Bashkëpunimi në fushën e teknologjisë së informacionit, kriza e krijuar nga pandemia e Covid-19 dhe reagimi ndaj pasojave që prekën dy vendet nga tërmetet e 26 nëntorit 2019 dhe 22 marsit 2020 në Shqipëri dhe Kroaci, ishin në qendër të një takimi pune mes drejtoreshës së përgjithshme të ATSH-së, Armela Krasniqi dhe homologes së agjencisë kroate të lajmeve HINA, Branka Vojvodiç, i zhvilluar në Tiranë.

Gjatë takimit, Drejtoresha e Përgjithshme e HINA-s, Vojvodiç paraqiti sistemin e ri editorial të HINA-s që, sipas saj, përbën një përparësi të ndjeshme për sa i takon produktivitetit të një agjencie në tregun mediatik, por edhe si një mundësi për rritjen më tej të bashkëpunimit mes dy agjencive të lajmeve.

Krasniqi theksoi se “fakti që numri i vizitorëve në faqen e ATSH gjatë periudhës kur Shqipëria u godit rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe sidomos gjatë pandemisë së Covid-19 u rrit në mënyrë të ndjeshme për shkak të besueshmërisë së informacioneve që agjencia jonë transmetonte për lexuesit vendas dhe të huaj, na detyron të modernizojmë shërbimin tonë me teknologji të reja”.

Drejtoresha e Përgjithshme e ATSH shtoi se “klientët tanë kanë shtuar kërkesat jo vetëm për informacionin e përditshëm, por edhe për intervistat, videot apo shërbimet e tjera që agjencia ofron”.

Gjithashtu, drejtoresha e ATSH-së Krasniqi theksoi se “bashkëpunimin tonë me agjencitë simotra, sidomos me ato të Europës e të rajonit, ne e shohim me përparësi”.

“Bashkëpunimi është e vetmja mënyrë me anë të së cilës ne mund ta kapërcejmë edhe kërcënimin nga lajmet e rreme, nënvizoi ajo.

“Nga kriza COVID-19 te ajo e tërmetit, HINA ishte një nga agjencitë e lajmeve më të prekura nga situata të papritura dhe të vështira”, deklaroi nga ana e saj Drejtoresha e Përgjithshme e HINA-s, Branka Vojvodiç.

“Me gjithë vështirësitë, HINA ka qenë e para që ka publikuar lajmet për tërmetin. Gjatë këtyre kohërave kemi pasur dy synime kryesore, atë të sigurimit të punonjësve dhe atë të informimit sa më të mirë e të saktë. Unë besoj që mësojmë përmes përvojave dhe vështirësive’’, shtoi ajo.

ATSH dhe HINA kanë një marrëdhënie të gjatë bashkëpunimi mes tyre, të vendosur menjëherë pas viteve 1990.
Dy agjencitë janë nënshkruese të Deklaratës së Tiranës, së bashku me 11 agjenci të tjera lajmesh. Deklaratë e miratuar më 4 dhjetor 2018 në Tiranë, pas konferencës së organizuar nga ATSH me temë “Agjencitë e Lajmeve vs Fake News”./ a.jor.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.