1581 aplikues në platformën “Deputeti që duam”/ Rama: Na duhen deputetë që ambicien më të lartë të kenë qëndrimin sa më pranë zgjedhësve

TIRANË, 28 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se në platformën “Deputeti që duam” kemi pritur plot 1581 shprehje interesi nga vajza e djem, nga gra e burra, nga veriu në jug, nga qyteti e fshati, brenda dhe jashtë vendit, nga të gjitha rrugët e jetës.

Në një takim me disa prej finalistëve që do të jenë pjesë e skuadrës kombëtare të 25 prillit, Rama tha se “skuadra jonë kombëtare po bëhet gati”.

“Fatmirësisht ne, ndryshe nga të tjerët nuk kemi mungesë zgjedhjesh, por kemi më shumë lojtarë të aftë për të mbuluar të gjitha rolet se sa vende në skuadër. Grupi ynë parlamentar ka shumë profile të përshtatshme për çdo rol dhe gjatë këtyre viteve ka krijuar një bagazh eksperience të vyer që asesi nuk mund të neglizhohet”, tha ai.

Rama tha se “është një grup që ka mbajtur ngarkesa të mëdha në momente të caktuara krejt të të pazakonshme për vetë dinamikën e jashtëzakonshme të jetës parlamentare, ku momentet e rënda të tensionit kanë qenë të shpeshta dhe të gjata”.

“Grupi ka qenë solid dhe mbështetës për reformat, vendimmarrjet e vështira dhe për çuarjen përpara të punës sonë për Shqipërinë. Natyrshëm, ky grup do të jetë boshti i skuadrës sonë kombëtare të 25 prillit, por njëkohësisht skuadra duhet të jetë në lartësinë e sfidës së madhe të ripërtëritjes me lojtarë të rinj që sjellin energji të reja, profile të reja, përfaqësuese të një shoqërie që ndryshon me shpejtësi”, tha Rama.

Gjithashtu ai tha se formacioni i skuadrës sonë kombëtare duhet të japë mesazhe të reja për grupmoshat, më të rinjtë, gratë në mënyrë të veçantë, kategoritë e ndryshme sociale”.

“Kjo në fakt ka qenë prirja e kahershme e PS-së dhe unë besoj se gjatë periudhës së drejtimit tim, PS e ka konsoliduar këtë prirje. Në partinë tonë nuk ka vend për kasta të pandryshueshme drejtuese, as për piedestale statujash që nuk lëvizin nga pozicionet dhe i përkasin një të shkuare tanimë të largët sherresh e konfliktesh për ‘kush jam unë, e kush je ti'”, tha Rama.

Ai theksoi se “ne na duhen deputetë dhe deputete që ambicien më të lartë të kenë qëndrimin sa më pranë zgjedhësve, zgjidhjen e problemeve të njerëzve në çdo komunitet, pjesëmarrjen sa më aktive dhe të frytshme në parlament dhe kontributin sa më pozitiv në frymën e skuadrës”.

“Skuadra është mbi të gjithë dhe mbi të gjitha egot dhe interesat personale dhe harmonizimi i gjeneratave, eksperiencave, egove dhe interesave të përveçme është A-ja në alfabetin e çdo skuadre fituese”, shtoi ai.

Rama tha se për ndeshjen e 25 prillit ne kemi ndërtuar një proces të ri, inovativ me sytë nga çdo komunitet dhe kategori shoqërore, duke hapur derën për të gjithë ata dhe ato që kanë ambicien, kurajon, vullnetin të bëhen pjesë e skuadrës sonë”.

“E kemi quajtur këtë proces ‘Deputeti që duam’ dhe kemi pritur plot 1581 shprehje interesi nga vajza e djem, nga gra e burra, nga veriu në jug, nga qyteti e fshati, brenda dhe jashtë vendit, nga të gjitha rrugët e jetës. I falenderoj sot të gjithë, 1581 pa asnjë përjashtim. Ka qenë nder për ne që aq shumë individë, anëtarë e simpatizantë apo qytetarë aktiv me bindje dhe qëllime qartësisht të përbashkëta me tonat na kanë ofruar gatishmërinë e tyre për tu bërë pjesë”, tha Rama.

Kryeministri tha se “procesi ka kaluar në disa etapa dhe më vjen shumë mirë sot të takohem me disa nga ata që janë seleksionuar për skuadrën tonë kombëtare”. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.