Vaksinimi i bluzave të bardha në Korçë/ Bino: Në dy ditët e para vaksinohen 500 persona

TIRANË, 27 shkurt/ATSH/ Shefja e departamentit të Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino deklaroi sot nga Korça, ku ka nisur procesi i vaksinimit për stafet mjekësore, se brenda 2 ditëve të para do të vaksinohen rreth 500 persona.

Në një prononcim për medie, Bino tha se “në vijim do të fillojmë me moshat e treta”.

“Sot nisi vaksinimi për të gjithë Prefekturën e Korçës. Do të vaksinohen mjekët, infermierët sanitaret, mjekët e familjes në të gjitha bashkitë e juglindjes. Pastaj do fillojmë me moshat e treta dhe personat që kanë sëmundje bashkëshoqëruese, për të kaluar tek vaksinimi i të gjithë popullatës mbi 18 vjeç”, tha ajo, ndërsa shtoi se “nuk kemi pasur raste të efekteve anësore të personave që kanë vaksinuar”.

Bino tha se “vaksina që po aplikohet është Pfizer, dhe ka doza të mjaftueshme për të vaksinuar bluzat e bardha”.

Sipas Binos, “vaksinimi masiv do të fillojë pas vaksinimit të kategorive në risk”.

Në lidhje me masat kufizuese, Bino u shpreh se ato mund të ndryshojnë në varësi të situatës”.

“Shtrëngimi i masave do të jetë në varësi të situatës dhe vendoset nga Komiteti. E rëndësishme është që filloi procesi i vaksinimit. Por qytetarët duhet të respektojnë masat”, tha Bino./m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.