Shalsi në biznesin e Arjoditës: Shpirti i saj prej sipërmarrëseje bëri që pas falimentit, të ringrihej me sukses

TIRANË, 27 shkurt /ATSH/ Ministri i Shtetit për Sipërmarrjen, Eduart Shalsi, solli shembullin e Arjoditës vajzës së paepur që e nisi karrierën si një punonjëse në departamentin e shitjes të një kompanie prestigjoze dhe pasioni për sipërmarrjen e motivoi në hapjen e kompanisë së saj të trajnimeve në industrinë e shërbimeve.

“Ajo nuk u dorëzua kur “falimentoi suksesshëm”, siç na e tha me humor, por shpirti i saj prej sipërmarrëseje, spikati në rrethin e investitorëve, të cilët me shumë besim vendosën kapitalet e tyre që t’i çonte përpara idetë e saja inovatore”- u shpreh Shalsi.

Kompania e krijuar në vitin 2015 ofron shërbime nënkontraktimi të biznesit dhe ka fokus zhvillimin e kapitalit njerëzor, nxjerrjen dhe analizën e të dhënave, aksesin në tregjet ndërkombëtare dhe rritjen e kompanive “Made in Albania”.

Gjatë një vizite në biznesin e saj,  bashkëbiseduam dhe  kuptuam për interesin e madh, për të kontribuar në forcimin e komunitetit të startup-eve, me qëllim mentorimin dhe fuqizimin që në fazat e hershme të biznesit.

“Kënaqësi të njihesha edhe me bashkëpunëtorët e saj simpatikë, që edhe pse vinin nga fusha të ndryshme, kishin krijuar një sinergji të admirueshme”- tha ministri Shalsi.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.