Përforcohen masat antikovid në Kakavijë/ Pika kufitare e hapur 07:00-19:00, lejohen vetëm 400 qytetarë në ditë

TIRANË, 27 shkurt/ATSH/ Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme njoftoi sot mbi përforcimin e masave antikovid në pikën e kalimit kufitar në Kakavijë.

“Duke filluar nga data 1 mars e deri më 15 mars 2021 pika kufitare do të jetë e hapur nga ora 07:00 deri në orën 19:00, në vend të orës 23:00 që ishte deri tani”, thuhet në njoftim.

Po ashtu do të kufizohet më tej numri i personave që futet çdo ditë. “Nga 750 persona, do të lejohen vetëm 400”, thotë njoftimi i MEPJ-së.

Sipas MEPJ-së, “ata që do të futen në Greqi do t’i nënshtrohen një testi të shpejtë, nga i cili nuk do të përjashtohen edhe shoferët e kamionëve apo mauneve”.

“Të gjithë ata që do të testohen pozitiv, nuk do të lejohen të hyjnë në Greqi, ndërkohë që ata që hyjnë, do t’i nënshtrohen një karantine të detyrueshme 14 ditore, nga 7 ditë që ishte deri më tani”, vijon njoftimi.

MEPJ rikujton se pikat e kalimit në Kosovë, Maqedoni dhe Malin e Zi vijojnë të jenë të hapura dhe shtetasit shqiptarë mund të udhëtojnë drejt këtyre vendeve, pa pasur nevojë për PCR test negativë dhe pa iu nënshtruar masave të izolimit./m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.