Ndërtimi i lagjes së re “5 Maji”/Ahmetaj: Për 14 muaj do të jetë një nga qendrat urbane, ekonomike, sociale më moderne në Shqipëri

TIRANË, 27 shkurt /ATSH/  Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj, inspektoi sot ecurinë e punimeve në kantierin e ndërtimit të lagjes së re “5 Maji”, Tiranë, ku për 14 muaj do të jetë një nga qendrat urbane, ekonomike, sociale më moderne në Shqipëri.

“Puna po ecën me ritëm të përshpejtuar dhe sipas standardeve më të mira. Gjatë një periudhe një mujore këtu është bërë një punë kolosale  dhe kjo zonë do të  jetë një qendër e dytë e Kryeqytetit, me rreth 3500 apartamente për 11 mijë banorë, 5 objekte publike ndër të cilat edhe godina e përbashkët e tatime-doganave, 3 objekte arsimore, një shkollë profesionale dhe qendra e IT “Network 42”.

“Për 14 muaj do të jetë një qytet i ri i Tiranës, e bashkuar edhe me Bulevardin e ri, ajo do të sjellë një zhvillim të ekonomiko social”- tha Ahmetaj, ndërsa bëri të ditur se, tashmë ka filluar ndërtimi i pallateve në Tiranë, këtu tek “5 Maji”, në Kombinat dhe të gjithë territorin.

Ndërkohë qytetarët që do të shpronësohen me shkëmbim, do të marrin 100% të metrave katrorë që kanë sot në një pallat, në një kantier me ndërtim shumë herë më të mirë, më të fortë dhe më të bukur.

“Sot Rindërtimi është jo vetëm një proces i avancuar por dhe një shenjë e patjetërsueshme e besimit të qytetarëve ndaj nesh”- tha Ahmetaj.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.