Koncesioni i aeroportit/ Meta: Deputetët të reflektojnë për kthimin e ligjit

TIRANË, 27 shkurt/ATSH/ Presidenti Ilir Meta u kërkoi sot deputetëve të reflektojnë lidhur me kthimin e ligjit që zgjat afatin e koncesionit të aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

Në një konferencë për medie, Meta theksoi se “dje i përcolli edhe zyrtarisht Kuvendit dekretin për kthimin për rishqyrtim ligjin për aeroportin e Rinasit”.

“Kjo marrëveshje është në dëm të interesit publik, shtetëror e kombëtar pasi bie ndesh me parimet e Kushtetutës dhe është provë e kapjes së shtetit. Kuvendi duhet të kërkojë vënien para përgjegjësisë të gjithë funksionarëve që kanë shkelur ligjin, pasi kjo marrëveshje është në dëm të interesit kombëtar”, tha ai.

Meta i bëri thirrje çdo deputeti e zyrtari të lartë të reflektojë me shumë qetësi për këtë nismë dhe të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e saj.

“Paralajmëroj se për çdo vepër penale të konsumuar nuk do të ketë kurrë amnisti, por vetëm drejtësi, veçanërisht pas 25 prillit, kur vendi do të kthehet njëherë e përgjithmonë në shinat e shtetit të së drejtës. Po u jap mundësi deputetëve të reflektojnë dhe të përmbushin detyrimin për të ruajtur interesin publik të shtetasve shqiptarë duke e kthyer mbrapsht këtë nismë. Po ndaj 43 faqet me argumentet ligjore, me shpresën dhe dëshirën që të gjeni kohën e mjaftueshme për t’i lexuar, pa ngritur kartonin dhe duke ulur kokën, siç keni vepruar në shumë raste. Është një ftesë për të gjithë deputetët ta lexojnë, të mos thonë ‘nuk dinim gjë’, por edhe opinioni publik le të njihet me këtë ‘kryevepër’ të kapjes së shtetit”, tha Meta.

Meta tha se “lidhur me këtë sjellje të Kuvendit që nuk reflekton ndaj kthimeve të ligjeve, unë bëj detyrën time në emër të institucionit që përfaqësoj, shpresoj që të ketë reflektim edhe pse gjasat janë të pakta se jemi prag bërjes së listash, që të përfshihen në lista me ulje koke dhe ngritje të kartonit”.

“Dokumentacioni është shumë i qartë dhe i plotë. Paralajmërimet janë bërë në mënyrë ligjore dhe pa asnjë diskutim se nëse do të kishim patur vërtetë një reformë në drejtësi të suksesshme kurrë nuk do të kishin guxuar ministrat, Kuvendi dhe gjithë qeveria të bëjnë këtë, apo shumë afera të tjera. Megjithatë të jeni të sigurt se pas 25 prillit çdo çështje do të ndiqet me rigorozitet, çdo dëm, shkelje ligjore ndaj ftova të gjitha forcat politike që ta lexojnë me vëmendje”, shtoi ai./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.