Këshillat për gratë shtatzëna gjatë pandemisë/ Dr. Manaj për ATSH-në: Materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, mjedis të posaçëm për mundësimin e lindjes

 

TIRANË, 27 shkurt/ATSH/ Gratë shtatzëna, imuniteti i të cilave nuk është optimal gjatë periudhës së shtazanisë, janë ndër grupet që duhet të kenë kujdes të shtuar në zbatimin e rregullave antikovid.

Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Pr.Dr Afërdita Manaj, shefe e shërbimit të obstetri-gjinekologjisë në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, në kryeqytet, shprehet se “gratë shtatzëna janë kontingjenti më vurnerabël i popullsisë të cilat janë të prekshme nga sëmundjet virale dhe aq më tepër nga Covid-19 sikurse pjesa tjetër e popullatës”.

“Vdekshmëria është më e ulët sepse janë mosha më e re, në moshë riprodhuese, rrezikshmëria për vdekshmëri të lartë është pak më e ulët”, u shpreh mjekja Manaj.

Ajo theksoi se megjithatë, janë parë raste që kanë kaluar nga forma të lehta, në forma shumë të rënda dhe deri në vdekje, tek gratë shtatzëna.

“Edhe gratë shtatzëna duhet të ruajnë që të gjitha rregullat si e gjithë pjesa tjetër e popullsisë, që nga vendosja e maskës, distanca mbi 6 hapa, larja e duarve për të paktën 20 sekonda me ujë dhe sapun, ose me dezinfektant që ka përqindje të lartë alkooli”, u shpreh Pr. Dr Manaj.

Për të qenë më rezistente dhe për të rritur imunitetin ndaj çdo infeksioni dhe për më tepër ndaj Covid-19, doktoresha sugjeron disa këshilla.

“Gratë shtatzëna megjithëse janë mosha e re dhe mendohet se mund të kenë një risk më të paktë prej Covid-19, ato janë si gjithë pjesa tjetër e popullsisë. Por që të jenë më rezistente dhe të rrisin imunitetin, duhet të marrin patjetër vitamina, shtesë suplementare siç është vitamina C 1gram në ditë, me zink dhe vitaminë D, ose edhe vitamina D kur ato e kanë të ulët, të marrin kalcium suplementar dhe të kenë një dietë të pasur. Duhet të dalin në ajër të pastër dhe në diell, por sa më larg ambienteve të mbyllura dhe të mbajnë distancimin social”, u shpreh Manaj.

Sipas saj, në përgjithësi gratë shtatzëna që janë të infektuara me Covid-19, kur janë në fund të shtatzanisë rekomandohet që lindjen ta bëjnë me operacion cezarian.

“Kjo për faktin që dihet se tek format e rënda kemi çrregullime të shumta, kemi ato çrregullimet e citokinave të cilat arrijnë që të prishin ato nivelet bio-kimike ose treguesit bio-kimik tek një grua shtatzënë të cilat janë rritja e D dimelit, rritja e fertinemisë, rritja e PCR-së dhe të gjitha këto shtojnë koagulimin intravaskular tek gruaja shtatzëne. Kështu që për të mos arritur deri atje, duhet që nëse  lindja ka arritur moshën e pjekurisë fetale, ta ndërpresim shtatzaninë me “Sexio”. Ndërsa për format e lehta lindja rekomandohet të bëhet si tek të gjitha rastet e tjera, pra lindje normale”, theksoi Manaj.

“Frika ekziston tani dhe nuk kanë faj që e kanë atë frikë, sepse këtij lloj virusi nuk i dihet ecuria. Ka pasur larmi në ecurinë e tij, nga forma shumë të lehta dhe deri në forma vdekjeprurëse. Njerëzit janë të frikësuar sepse nuk e dinë se si ai do të sillet më tej, a do të ketë forma të reja. A do të ndërpritet një ditë kjo pandemi apo jo. Jo në të gjithë botën është realizuar vaksinimi i të gjithë popullsisë. Kështu që njerëzit kanë edhe frikë por edhe pasiguri”  vijon më tej doktoreshë Manaj.

Mjekja i siguronë gratë shtatzëna për sigurinë që ka në maternitet për shkak të kushteve të posaçme që janë krijuar për gratë shtatzëna të sëmura edhe me Covid-19.

“Ne në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” kemi krijuar një ambient të veçantë për gratë që lindin me Covid-19. Deri më tani nuk kemi pasur mbipopullim, kemi pasur deri në 3 ose 4 lindje në ditë nga gratë e infektuara me Covid-19, kështu që është mundur të realizohet dhe të mbahen në kushte sa më optimale. Tek ne, gratë vijnë për të realizuar lindjen dhe jo për të trajtuar infeksionin nga Covid-19. Infeksionet me Covid-19 trajtohen në spitalet që janë hapur dhe janë katër spitale që janë hapur në Tiranë. Janë hapur për trajtimin e njerëzve që janë të infektuar me Covid-19”, përfundoi doktoreshë Manaj. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.