Vokshi: Shqipëria nuk ka bërë progres në asnjë fushë

TIRANË, 26 shkurt /ATSH/ Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi deklaroi sot se, “Edi Rama, i cili ka dështuar në 8 vite në çdo fushë, nuk do të mund të marrë një mandat tjetër nga qytetarët”.

Në një deklaratë për mediet, Vokshi u shpreh se, “këto 8 vite, Shqipëria ka ngecur me Edi Ramën, ndërsa vende të tjera, të ngjashme me ne, kanë bërë progres dhe zhvillim të jashtëzakonshëm”.

“Shqipëria nuk ka bërë progres në asnjë fushë, as në ekonomi, as në arsim, as në infrastrukturë. Edi Rama mund të tregojë përralla në shëtitjet e tij propagandistike elektorale, por njerëzit e vuajnë në lëkurë dështimin e tij 8-vjeçar dhe premtimet e pambajtura”, tha Vokshi.

“Edi Rama nuk ka një bilanc pune në shërbim të qytetarëve. Me qindra-mijëra shqiptarë ose janë larguar nga vendi, ose janë varfëruar nën drejtimin e Edi Ramës. Të rinjtë janë pa punë, pa perspektivë me Edi Ramën, sepse për 8 vjet ai punoi për vete dhe për një grusht klientësh”, shtoi Vokshi. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.