Vijon vaksinimi antikovid në Arenën Kombëtare/ Të hënën mbërrijnë 15 mijë vaksina nga “Pfizer”

TIRANË, 26 shkurt /ATSH/ Të hënën mbërrijnë rreth 15 mijë vaksina antikovid nga “Pfizer” dhe së shpejti priten lajme të mira për të tjera sasi vaksinash.

Lajmin e ka bërë të ditur Kryeministri Edi Rama, i cili ka publikuar dhe një video nga qendra e vaksinimit në Arenën Kombëtare ku vijon vaksinimi i personelit shëndetësor spitalor dhe të kujdesit shëndetësor parësor.

“Qendra e vaksinimit Arena Kombëtare. Vijon vaksinimi i personelit mjekësor të spitaleve universitare dhe mjekë e infermierë të kujdesit parësor. Të hënën do të mbërrijnë rreth 15 mijë vaksina ‘Pfizer’ dhe së shpejti do të kemi lajme të mira për të tjera sasi vaksinash”, shprehet Rama.

Gjatë ditës së sotme janë kryer 1001 vaksinime antikovid dhe që nga fillimi i vaksinimit janë kryer 11 136 vaksinime antikovid.

Aktualisht, Shqipëria ka marrë doza të vaksinës “Pfizer”, ndërkohë që përmes COVAX, pret dozat e vaksinës së “AstraZeneca”.

Lidhur me planin e vaksinimit, qeveria synon që të zbatojë skenarin më ambicioz, që është vaksinimi i të gjithë kategorive dhe i të gjitha moshave që përfshihen në planin e vaksinimit brenda 14 muajsh.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.